Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat për krijimin e një Komisioni hetimor për krizën energjetike, derisa opozita po këmbëngul që ky Komision të formohet, në të kundërtën sipas tyre nuk ka kuptim të marrin pjesë në votime tjera.
Komisioni hetimor po kërkohet të formohet për çështjet energjetike, saktësisht për krizën energjetike, çështjet e tarifës dhe punësimet në KEK.
Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se bazuar në Ligjin për hetim parlamentar, kryesuesi i komisionit emërohet nga Kuvendi me rastin e themelimit të komisionit, kryesuesi zgjidhet nga radhët e njërit grup parlamentar që nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës.
“Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni hetimor, pasi që të gjitha partitë parlamentare janë iniciues të këtij komisioni dhe me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”, tha ajo.
Shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se si Grup Parlamentar dhe propozues të Komisionit Hetimor lidhur me krizën energjetike kanë propozuar formimin e një komisioni hetimor që është përkrahë nga 40 deputetë.
Tahiri, tha se formimi i Komisionit të kalojë me 2/3 e deputetëve të pranishëm.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, duke paralajmëruar se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, nuk do të marrin pjesë në asnjë votim.
Po të njëjtën kërkesë pati edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Nuk do ta pranojmë mos-themelimin e Komisionit. Nëse mendoni se është antikushtetues adresoni çështjen në Kushtetuese”, tha ai.