Që nga dje, kur edhe u zyrtarizua ideja për “Open Balkan”, ndaj Kryeministrit Edi Rama, ka shpërthyer një valë zemërimi. Shkak janë bërë deklaratat e këtij të fundit kundër Republikës së Kosovës, e cila e ka refuzuar që në krye të herës këtë ide, shkruan Kosova Post.
“Ky rajon nuk mund të vijojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona” – është shprehur Rama ndër të tjera, ndërsa e ka mbrojtur këtë ide nëpërmjet një fjalimi apologjetik.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka ardhur një reagim i ashpër, duke e cilësuar iniciativën e Novi Sadit – “si të pa vizion”.
E ndërsa në rrjetet sociale, kanë filluar kritikat kundër tij…
Por përtej kalkulimeve tregtare e ekonomike, duket që shqiptarët e Kosovës i ka prekur më shumë fakti se, me anë të këtij akti, Serbisë po i mundësohet të shkelë mbi të kaluarën, duke e harruar gjenocidin dhe krimet e kryera ndaj Kosovës. Ajo më nuk po e ndjenë të nevojshme që të kërkoj falje për të kaluarën e errët, meqë po i mundësohet përmirësimi i marrëdhënieve ndër-fqinjësore, pa asnjë kusht.
Por a fiton vërtetë Shqipëria nga kjo iniciativë?
“Serbia në vitin 2020 ka shitur në Shqipëri rreth 280 milionë Euro mallra. Shqipëria ka shitur në Serbi rreth 55 milionë Euro. Maqedonia ka shitur në Shqipëri rreth 210 milionë Euro mallra.
Shqipëria ka shitur në Maqedoni 70 milionë Euro. Tani, çfarë po bëjmë, po i bëjmë yzmetin ekonomive të Serbisë dhe Maqedonisë? Sepse ne gjithë, gjithë 125 milionë Euro (Serbi+Maqedoni) shesim në këto dy vende, ndërkohë që ato të dyja bashkë shesin në Shqipëri në vit 490 milionë Euro” – ka shkruar Panajot Soko, një aktivist i shoqërisë civile në Shqipëri. Sipas analizës së tij, edhe nëse marrëveshja e fuqizon tregtinë për 2%, përsëri Shqipëria do të ngelet prapa Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.
“Pra i bie që 365 milionë Euro cash dalin neto nga Shqipëria dhe shkojnë në Serbi dhe Maqedoni.
Natyrisht që marrveshja do të lehtësoje tregëtinë dhe do të rrisë volumet, po nëse rritja e tregëtisë do të jete 2%, trashë-trashë i bie që Shqipëria të shesë 2.5 milionë Euro më shumë në Serbi dhe Maqedoni (pra nga 125 të shkojë 127 milionë), ndërsa Serbia dhe Maqedonia do të shesin 10 milionë Euro më shumë në Shqipëri (nga 490 me përafërsi të shkojë gati 500). Fitojnë ata, ne humbasim. Është e thjeshtë. Do nxjerrim më shumë Euro nga vendi. Futja kot me një llaf…”
Soko, kur i analizon raportet tregtare të Shqipërisë me Kosovën, del që kjo e fundit shënjon praktikisht tregun më të madh për eksportet e Shqipërisë:
“Dhe më e padurueshmja pastaj është fakti që Kosovës, që është një ndër vendet që shqiptarët eksportojnë më shumë, ne i vendosim traun në Kukës dhe i marrim 22 Euro për trajler.
Kosova sot që flasim blen rreth 1.1 milion ton mallra në Shqipëri. Shqipëria eksporton rreth 4 milion Ton mallra gjithsej në gjithë botën dhe ¼ e gjithë mallrave (si peshë volumetrike) që shesim jashtë, e merr Kosova. Pra ¼-a e të gjithë trajlerave, mauneve, kamionëve dhe autobotëve transportuese që shesin mallra shqiptare shkojnë në Kosovë. Ndërkohë që Shqipëria, në vend që të vrasë mendjen sesi ta lehtësojë punën këtyre kamionëve koosovarë, si t’ua bëjë më të lehtë, si mund t’i ndihmojë ata që mos kenë pengesa, shkon dhe merret me Serbinë dhe Maqedoninë.”
Hapja e rrugëve tregtare për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht mundësimi i qasjes në portet e Shqipërisë, sipas Sokos, Shqipërinë e sjell më shumë në disfavor, se sa në një pozitë favorizuese.
“Çfarë përfitojmë ne nga kalimi i lirë i mallrave në Serbi apo Maqedoni? Shumë pak mallra që vijnë në Shqipëri apo që dalin nga Shqipëria kalojnë nga Serbia apo Maqedonia (përveç mallrave serbe dhe maqedonse). Ne i kemi rrugët. Italia vjen në Durrës apo Vlorë, Greqia vjen në Kakavije dhe Kapshticë, Kina vjen në Durres, Turqia vjen në Durrës apo në Kapshticë, Spanja vjen në Durrës, Gjermania vjen në Durres, Franca në Durrës. Ku është përfitimi? Ahhhh, po iu japim Durrësin dhe Serbisë dhe Maqedonisë, që ta kenë dhe ata aksesin në Adriatik? Që të ulim kostot e eksporteve serbe dhe maqedonase? Kjo është tjetër çështje pastaj… Jemi bërë bamirës..
Natyrisht ata gjithmonë, në jetë të jetëve, e kanë ëndërruar një dalje “falas” në Adriatik dhe ne po ua japim sot…falas. Por, që ta përmbledh, problemi që kam unë me marrëveshjen, është strikshmërisht ekonomik. Aritmetikë ekonomike e pastër.” – ka thënë Soko, duke përfunduar në konkluzionin e dhimbshëm: “Ne humbasim. Kaq! Ata fitojnë në kurrizin tonë.”
Duhet të ua kujtojmë se marrëveshjen në fjalë, e ka lavdëruar edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit, për opinionin publik serb, ka thënë se tashmë “nga Beogradi do të niseni për në Tiranë dhe askush s’do t’iu ndalë”, duke theksuar rëndësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Vuçiq, sikurse Rama, ka vlerësuar rëndësinë e forcimit të raporteve tregtare, duke e dëshiruar me ngulm, mbylljen e kapitujve që kanë të bëjnë me historinë e raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ky, qëndrim, sipas pjesës dërmuese të opinionit publik kosovar, është në interes të Serbisë dhe kundër shqiptarëve./KosovaPost/