Varianti Omicron i koronavirusit pritet të infektojë mbi gjysmën e popullsisë në Evropë, por ende nuk mund të trajtohet si një sëmundje endemike e ngjashme me gripin stinor, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë, përcjell KosovaPost.
Evropa ka regjistruar mbi 7 milionë raste të reja me koronavirus vetëm në javën e parë të vitit 2022, shifër dyfish më e lartë krahasuar me një periudhë dyjavore, tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge gjatë një konference për media.
“Me këtë ritëm, Instituti për Metrika dhe Vlerësim të Shëndetit parashikon se më shumë se 50 për qind e popullsisë në rajon do të infektohet me Omicron gjatë 6-8 javët e ardhshëm”, tha Kluge, duke iu referuar një qendre hulumtuese në Universitetin e Uashingtonit.
Pesëdhjetë nga 53 shtetet në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë regjistruar raste me variantin e ri, tha Kluge.
Megjithatë, sipas studimeve të fundit, Omicroni më shumë po prek traktin e sipërm respirator sesa mushkëritë, duke shkaktuar simptoma më të lehta sesa variantet paraprake të sëmundjes COVID-19.