Të dhënat nga një zonë në Afrikën e Jugut, që është goditur rëndë nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron, kanë treguar për një numër të lartë të shtrimeve në spital të foshnjave nën 2 vjeç, duke rritur kështu shqetësimet se varianti mund të përbëjë rrezik për të vegjlit.
Megjithatë, shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se nuk mund ta konfirmojnë ende lidhjen midis variantit Omicron dhe hospitalizimit të foshnjave, duke lënë të kuptohet se kjo situatë mund të jetë edhe pasojë e faktorëve të tjerë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse në Afrikën e Jugut (NICD), 52 foshnja nën moshën 2-vjeçare kanë qenë në mesin e 452 pacientëve me koronavirus të pranuar në Tshvane – zonë që përfshin kryeqytetin Pretoria – gjatë periudhës 14-28 nëntor. Ky numër është më i lartë krahasuar me grupmoshat e tjera, transmeton KosovaPost
Të dhënat tregojnë se 29 për qind e pranimeve spitalore për koronavirus në grupmoshat 0-4 vjeç kanë pasur sëmundje të rëndë. Kjo është përqindje e ngjashme me disa grupmosha të tjera dhe ndjeshëm më e ulët se përqindja e të sëmurëve rëndë në mesin e pacientëve mbi 60 vjeç.
Në mesin e fëmijëve të moshës 4 vjeç ose më të vegjël, 1 për qind e pranimeve spitalore kanë rezultuar me vdekje, kanë treguar të dhënat.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i pranimeve nga kjo grupmoshë ka qenë 70, duke e bërë të paqartë se çfarë nënkupton shifra e 1 për qind.