Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar propozim-rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Me këtë rast, deputetë të opozitës kundërshtuan çmimet aktuale të energjisë, derisa thanë se të njëjtat ua kanë rënduar barrën financiare qytetarëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se çmimet është dashur të ulen pasi të njëjtat kanë rënë në berzhën ndërkombëtare.
“Të gjitha manipulimet e bëra e rëndojnë kuletën e konsumatorëve. Kjo vërehet edhe në rritjet e njëpasnjëshme të çmimit të energjikë elektrike në dy vitet e fundit. Kjo është e papërballueshëm. Gjatë marrjes së vendimeve për ngritjen e çmimit, ZRRE dhe qeveria ishin ankuar se çmimi ne berzhën ndërkombëtare ishte e lartë dhe me të vërtete ishte i lartë. Mirëpo kjo tani ka ndryshuar. Nëse çmimet në berzhën ndërkombëtare kanë ra, tek ne kjo nuk ka ndryshuar”, shtoi Shala.
Shala i ka propozuar deputetëve që të votojnë pro kësaj rezolute e cila i rekomandon ZRRE-së anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë si dhe marrjen e masave ndaj KESCO-s.
Mirëpo propozim-rezulutën e ka kundërshtuar shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se e njëjta nuk ofron zgjidhje.
“Kërkesa e sotme për seancë të jashtëzakonshme nga opozita nuk përmban asnjë risi nga opozita, por është kopje e përsëritjes së kërkesave të njëjta nga viti i kaluar. Rezoluta e prezantuar nuk është serioze nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje. Sfidat shumë vjeçare të këtij sektori janë përgjegjësi edhe e juaja. Pozita dhe qeveria kanë qenë seriozisht në gjetjen zgjidhjes dhe ofrimin e lehtësirave”, shtoi ajo.