Në ditët e fundit është raportuar për shpërthim zjarresh në disa rajone të Kosovës. Pikërisht për këtë disa deputetë opozitarë, kanë kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të marrë masa të menjëhershme, në mënyrë që kjo situatë të kalojë më shpejt, raporton Kosova Post.
“Dua të apeloj te qytetarët dhe veçanërisht te qeveria, që të merret me këtë çështje” – ka thënë Xhavit Haliti, deputet nga radhët e PDK-së. Ai ka kërkuar përqendrim më të madh të institucioneve relevante në këtë çështje. Sipas tij, temperaturat e larta po e bëjnë të vetën, prandaj edhe kujdesi duhet shtuar.
Për shuarjen dhe parandalimin e zjarreve, qeveria luan rol të rëndësishëm, sipas deputetit të AAK-së Bekë Berisha.
“Shqetësim janë zjarret në male që ish dashur qeveria për me reaguar me ndalë. Temperaturat e larta kanë me qenë prezentë edhe për një kohë. Zjarret janë lajmëruar në Rugovë, Suharekë së fundmi, por mundet edhe dika tjetër.”
Sipas Berishës është dashur që qeveria të angazhohet më shumë edhe në këtë çështje./KosovaPost/