Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i ka uruar shërim të shpejtë senatorit Bob Dole.
Ajo ka thënë se populli i Kosovës po lutet për shërimin e tij.
“Jam shumë e pikëlluar që dëgjova lajmin në lidhje me diagnozën e senatorit Bob Dole. Populli i Republikës së Kosovës dhe unë ju uroj shërim sa më të shpejtë. Lutjet e tona janë me ju”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Bob Dole është diagnostifikuar me kancer në mushkëri.
Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë ai përmes një postimi në Twitter ku ka thënë se ai e di se bën pjesë në mesin e miliona amerikanëve që kanë sfida shëndetësore.
“Së fundmi, jam diagnostifikuar me kancer në mushkëri në fazën e katërt. Trajtimi im i parë do të nisë të hënën”.
Dole është mik i madh i Kosovës që dha kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së saj.
Në nderim të kontributit të tij në Prishtinë është përuruar edhe busti i tij derisa edhe një rrugë në kryeqytet e mban emrin e tij.
Senatori Bob Dole e kishte vizituar për herë të parë Kosovën në vitin 1990.