Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë që dha së fundi për BBC, ka folur lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.
Osmani deklaroi se Kosova me zemërgjerësi i pret refugjatët afganë, ndërsa theksoi se edhe vetë ka qenë refugjate dhe e kupton një situatë të tillë.
“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe përnjëmend e ndjejmë këtë çdo ditë”, tha ajo.
Presidentja tha se pranuan pa hezitim strehimin e afganëve, por thotë ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të vijnë në Kosovë.
“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”, u shpreh ajo.
Osmani tha se brenda pak ditësh do të kuptohet se kur do të vijnë refugjatët afganë në Kosovë, ndërsa njoftoi se Kosova është e gatshme të ndihmojë edhe si shtet tranzit për refugjatët.
“Me shumë gjasë ne do t’i kemi ata më shpejt se që e presim. Në fillim menduam se ata do të vinin për nja dy javë dhe se mund të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur. Brenda dy-tri ditëve do të merret vesh edhe për datën e saktë se kur do të vijnë ata”, tha ajo.
Presidentja thotë se suksesi arrihet vetëm kur punojmë së bashku dhe u bëri thirrje qeverive demokratike që t’i ndihmojnë popullit afgan, ndërsa përmendi rastin e Kosovës kur u çlirua nga regjimi gjenocidal serb.
“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku mundën regjimin e Millosheviqit dhe sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”. Nëse Kosova, një shtet i vogël ballkanik, mund ta bëjë këtë, çdo vend tjetër mund ta bëjë gjithashtu. Ne vetëm duhet të tregojmë zemërgjerësinë”, u shpreh Osmani.