Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar për Ditën e Personave me Nevoja të Veçanta , duke thënë se angazhimi dhe krijimi i mundësive të reja për ta, është angazhim për një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë, përcjell KosovaPost.
“Sot, në ditën e personave me nevoja të veçanta, me mendje e me zemër jam në çdo shkollë, në çdo institucion, e në çdo hapësirë publike ku fëmijët dhe të rriturit me nevoja të veçanta ende ballafaqohen me sfida të shumta sa i përket qasjes, lëvizshmërisë e mundësisë për të shijuar eksperienca të shumta sikurse shumica e qytetarëve”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
“Viti 2022, i shpallur si vit i personave me nevoja të veçanta, le të na shërbejë si thirrje e përditshme për ta bërë të pamundurën për t’ua shtuar mundësitë të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave, të cilët janë burim i pashterrshëm i energjisë, optimizmit e potencialit të pafund”, u shpreh tutje presidentja.
“Përmirësimi i pozitës së personave me nevoja të veçanta në shoqërinë tonë është përfundimisht përmirësim i mirëqenies sonë kolektive”.
Postimi i plotë:
Sot, në ditën e personave me nevoja të veçanta, me mendje e me zemër jam në çdo shkollë, në çdo institucion, e në çdo hapësirë publike ku fëmijët dhe të rriturit me nevoja të veçanta ende ballafaqohen me sfida të shumta sa i përket qasjes, lëvizshmërisë e mundësisë për të shijuar eksperienca të shumta sikurse shumica e qytetarëve.
Viti 2022, i shpallur si vit i personave me nevoja të veçanta, le të na shërbejë si thirrje e përditshme për ta bërë të pamundurën për t’ua shtuar mundësitë të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave, të cilët janë burim i pashterrshëm i energjisë, optimizmit e potencialit të pafund. Angazhimi dhe krijimi i mundësive të reja për ta, është angazhim për një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë dhe për mundësi të reja për zhvillim dhe progres në vendin tonë. Përmirësimi i pozitës së personave me nevoja të veçanta në shoqërinë tonë është përfundimisht përmirësim i mirëqenies sonë kolektive.