Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një komunikate për media e ka quajtur Kuvendin e Kosovës si ‘Kuvendi i turpit të Kosovës’, e që sipas saj, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale.
“Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. “Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik”, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”, thuhet në komunikatë.
Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30.
“Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, thuhet në fund të komunikatës.