OHT: Po s’u vaksinuat s’mund të merrni pjesë në asnjë aktivitet shoqëror
Çdo qytetarë i Kosovës nëse do që të shijojë aktivitetet shoqërore është i obliguar të vaksinohet të paktën me dozën e parë të vaksinës.
Ky vendim, që pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht, u mor të premten pas një takimi midis drejtorit të departamentit të sallave të dasmave pranë Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Driton Hotit, dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, njofton Klankosova.tv
“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, ka shkruar Oda e Hotelerisë në Facebook.
Edhe stafet punuese të këtyre sektorëve, sipas OHT-së, obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit.
Pjesë e vendimit është edhe zgjatja e orarit të klubeve të natës të cilat aktivitetin e tyre e fillojnë në ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate.