Në një mesazh për përvjetorin e dytë të aneksimit të rajonit të diskutueshëm nga India, kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se New Delhi nuk ka arritur të thyejë vullnetin e popullit të Kashmirit, transmeton Kosova Post.
Pakistani ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që ta mbajë përgjegjëse Indinë për shkeljet e të drejtave të njeriut në Xhamu Kashmir, shkruan AA.
Në një mesazh në prag të përvjetorit të dytë të aneksimit të rajonit të diskutueshëm nga India, kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se New Delhi nuk ka arritur të thyejë vullnetin e popullit të Kashmirit.
“Sot mbushet dy vjet nga veprimet e paligjshme dhe të njëanshme të 5 gushtit të vitit 2019 në Xhamu Kashmirin e pushtuar në mënyrë të paligjshme nga India. Këto veprime pasuan nga një rrethim i pashembullt ushtarak dhe kufizime në të drejtat dhe liritë themelore të popullit të Kashmirit për të përjetësuar pushtimin indian në territorin e pushtuar”, tha Khan.
Ai shtoi se populli i Kashmirit përballet me vrasje të pandërprera të jashtëligjshme, tortura dhe vdekje, arrestime arbitrare, djegie dhe plaçkitje të shtëpive për të shkaktuar ndëshkime kolektive, si dhe forma të tjera më të këqija të abuzimeve të të drejtave të njeriut.
Më 5 gusht të vitit 2019, qeveria indiane anuloi dy ligje të Kushtetutës së Indisë, nenin 370 dhe nenin 35A që rregullonin marrëdhëniet e Indisë me rajonin e diskutueshëm të Xhamu Kashmirit (IIOJK) me shumicë muslimane.
Khan akuzoi Indinë për sjelljen e ndryshimeve demografike përmes ligjeve të vendbanimit dhe pronësisë së tokës.
“Veprimet e paligjshme dhe të njëanshme të 5 gushtit të vitit 2019 nga India dhe masat pasuese, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me rregullat e vendbanimit dhe ligjet e pronësisë së tokës, kanë për qëllim ndryshimin e strukturës demografike të IIOJK-së dhe shndërrimin e popullit të Kashmirit në një pakicë në tokën e tyre”, tha Khan, duke i quajtur këto masa një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB), rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Konventën e Katërt të Gjenevës.
Siç theksoi ai, Pakistani, populli i Kashmirit dhe komuniteti ndërkombëtar i refuzuan fuqishëm këto hapa.
Khan ripohoi përkushtimin bindës të vendit të tij ndaj kauzës së Kashmirit dhe dha garanci për zgjatjen e të gjithë ndihmës së mundshme në Kashmir deri në realizimin e të drejtës së tyre të patjetërsueshme për vetëvendosje dhe një zgjidhje të drejtë të mosmarrëveshjes për rajonin e Xhamu Kashmirit, në përputhje me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezolutat dhe dëshirat e popullit të Kashmirit.
Në një mesazh të ndarë, presidenti pakistanez, Arif Alvi, po ashtu u ankua për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kashmir dhe tha se populli i Kashmirit po i nënshtrohet ndëshkimit kolektiv nga forcat pushtuese indiane që e kanë kthyer territorin në zonën më të madhe të militarizuar në botë.
“Për 24 muajt e fundit, populli i Kashmirit ka pësuar shkeljet më të këqija të të drejtave të njeriut të shkaktuara nga forcat pushtuese indiane, duke përfshirë një rrethim ushtarak dhe kufizime të pashembullta mbi liritë themelore të popullit të Kashmirit”, tha Alvi.
Ai theksoi se deri më sot udhëheqja e lartë e Kashmirit mbetet e burgosur nën “akuza të trilluara” dhe se vrasjet jashtëgjyqësore dhe arrestimet arbitrare vazhdojnë pa u ndalur.
“Populli i Pakistanit qëndron fuqishëm pranë vëllezërve dhe motrave në luftën e tyre të drejtë dhe do të vazhdojë të nxjerrë në pah në komunitetin ndërkombëtar mosmarrëveshjen mbi Xhamu Kashmirin. Objektivi ynë përfundimtar mbetet zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes së Xhamu Kashmirit sipas rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dëshirave të popullit të Kashmirit”, theksoi ai.