Një avion mallrash ukrainas u rrëzua rreth mesnatës në zonën e Kavallës në Greqi, duke iu marrë jetën 8 personave që ndodheshin në bord dhe shkaktuar panik te banorët e zonës.
Avioni i llojit Antonov dyshohet se pësoi avari në një prej motorëve dhe kërkoi leje për t’u ulur në aeroportin e Kavallës, por nuk arriti të mbërrinte deri atje, duke marrë flakë që në ajër, për t’u përplasur më pas në tokë.
Sipas autoriteteve të aviacionit, avioni ishte nisur nga Nishi dhe kishte si destinacion Jordaninë. Ai transportonte ‘materiale të rrezikshme’, që për shumë ekspertë mendohet se ishin armatime për luftën në Ukrainë.
Pas rrëzimit të avionit, në zonë janë dëgjuar shpërthime të fuqishme, gjë që ka bërë që autoritetet greke të evakuojnë dhjetëra banorë të zonës së Paleochorit.
Zjarrfikësit nuk kanë mundur të hyjnë në zonën ku ka rënë avioni nga frika e shpërthimeve dhe kanë ndaluar lëvizjet në një rreze prej 500 metrash.
Kryebashkiaku i Pangaiou, Filippos Anastasiadis deklaroi në orët e para të mëngjesit, se një dron ka fluturuar mbi vendngjarje për të vlerësuar situatën dhe ka parë që avioni është totalisht i djegur, ndërkohë që pjesët e tij janë shpërndarë në një zonë të madhe.
Zjarrfikësit ndërkohë bëjnë me dije se ende është e pamundur të futesh në vendngjarje nga frika e ndonjë rrezatimi të mundshëm, pasi nuk është e specifikuar se çfarë materialesh transportoheshin në avion.
Mësohet se bëhet fjalë për një avion Antonov dhe ka rënë rreth 40 km larg aeroportit të Kavallës ku ishte nisur për të bërë ulje emergjente.
Në video, banorët shqetësohen për fatin e avionit pasi kuptojnë se diçka nuk shkon me fluturimin e tij.
”Ku po shkon?” dëgjohet të thotë një grua në videon e publikuar në mediat greke.
Disa sekonda më vonë ata shohin një shpërthim të madh.
“Ai ra” thërrasin njëzëri.
“ Ah o Zot, ra, a mendon se ka shtëpi atje? “, dëgjohen të thonë disa të tjerë.