Papa Françesku për herë të parë ka folur për akuzat se Izraeli po kryen “gjenocid” kundër palestinezëve në Gazë. Ai në librin e tij që pritet të dalë së shpejti ka bërë thirrje për hetim të mëtejmë lidhur me atë nëse veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës konsistojnë me krimin e gjenocid.
Në librin e titulluar “Shpresa kurrë nuk zhgënjen. Pelegrinët drejt një bote më të mirë”, Papa flet për luftën në Gazë që nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit.
“Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gazë ka karakteristikat e gjenocidit”, shkroi kreu i Kishës Katolike në ekstraktin e publikuar më 17 nëntor nga e përditshmja italiane, La Stampa.
“Kjo duhet të studiohet me kujdes në mënyrë që të përcaktohet nëse situata korrespondon me përkufizimin e formuluar nga juristit e organizatave ndërkombëtare”, shtoi ai.
Papa shpesh ka kritikuar numrin e lartë të viktimave të shkaktuara nga operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë, teksa Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se afër 44.000 persona janë vrarë që kur ka nisur lufta, shumica nga ta civilë.
Por, thirrja e tij për të hetuar nëse në Gazë po kryhet gjenocid paraqet herën e parë që Papa përmend termin gjenocid në kontekstin e operacioneve ushtarake të Izraelit në territorin palestinez.
Më herët gjatë javës, një Komitet i posaçëm i Kombeve të Bashkuara tha se metodat e luftës së Izraelit në Gazë “përkojnë me karakteristika të gjenocidit”, duke e akuzuar Izraelin se “po përdor urinë si metodë të luftës”.
Këto përfundime janë kundërshtuar nga SHBA-ja, mbështetësja kryesore e Izraelit.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Izraeli është përballur me akuza për gjenocid që kur ka nisur lufta.
Afrika e Jugut ka iniciuar një rast për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe padia është mbështetur nga disa shtete, përfshirë Turqia, Spanja dhe Meksika.
Papa Françesku vazhdimisht ka bërë thirrje për lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit në Izrael.
Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje besohet se ende janë në Gazë