Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i shtetit të Vatikanit, Papa Françesku tha se është gabim të quash konfliktin në Ukrainë një luftë ruso-ukrainase, sepse në realitet është një luftë botërore, transmeton Kosova Post.
Siç raportojnë mediat e afërta me Vatikanin, Papa gjatë vizitës së tij në Kazakistan kah mesi i shtatorit është takuar me disa priftërinj jezuitë.
Papa Françesku gjatë kësaj vizite ka dhënë deklaratë për transmetuesin jezuit “Civilta Cattolica” dhe se ka folur për luftën Rusi-Ukrainë që vazhdon.
“Lufta po vazhdon. Mendoj se është gabim ta mendosh atë si një film kaubojsh ku ka personazhe të mirë dhe të këqij. Është gjithashtu e gabuar të mendosh se kjo është një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës. Jo. Kjo është një luftë botërore”, tha Papa.
Kreu i Vatikanit vuri në dukje se një vizitë në Ukrainë, të cilën ai më parë njoftoi se do të ishte e mundur, nuk është planifikuar në këtë fazë./aa