Papa Françesku, në mesazhin e tij për Pashkët këtë të dielë më 4 prill, iu ka bërë thirrje vende, që të përshpejtojnë shpërndarjen e vaksinave COVID-19, veçanërisht për vendet më të varfëra.
Ai gjithashtu, i quajti konfliktet e armatosura dhe shpenzimet ushtarake gjatë një pandemie, si skandaloze.
Coronavirus-i ka bërë që ky vit, të ishte viti i dytë që shërbesat papale të Pashkëve, realizohen në tubime të vogla në një altar dytësor të Bazilikës së Shën Pjetrit, në vend të turmave në kishë ose në sheshin jashtë.
Pasi mbajti meshën, Françesku lexoi mesazhin e tij “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën), në të cilin ai rishikon tradicionalisht, problemet e botës dhe bën thirrje për paqe.
“Pandemia ende po përhapet, ndërsa kriza sociale dhe ekonomike mbetet e rëndë, veçanërisht për të varfrit”, tha Papa gjatë fjalës së tij.
Françesku, i cili normalisht do ta mbante meshën përpara 100 mijë njerëzve në sheshin e “Shën Pjetrit”, foli me më pak se 200 në kishë ndërsa mesazhi u transmetua në dhjetëra miliona nëpër botë.
Sheshi ishte bosh përveç disa oficerëve të policisë që zbatonin një bllokim të rreptë tre-ditor kombëtar.
Papa i kërkoi Zotit të ngushëllonte të sëmurët, ata që kanë humbur një të dashur dhe të papunët, duke i nxitur autoritetet që t’u japin familjeve në nevojë më të madhe një “ushqim të mirë”.
Ai lavdëroi punonjësit e mjekësisë, simpatizoi të rinjtë që nuk mund të shkonin në shkollë dhe tha që të gjithë ishin thirrur për të luftuar pandeminë.
“Unë nxis të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, në një frymë të përgjegjësisë globale, të angazhohen për të kapërcyer vonesat në shpërndarjen e vaksinave dhe për të lehtësuar shpërndarjen e tyre, veçanërisht në vendet më të varfra”, theksoi Papa në fjalën e tij.
Françesku, i cili shpesh ka bërë thirrje për çarmatosje dhe ndalim total të mbajtjes së armëve bërthamore, tha se “Ka ende shumë luftëra dhe shumë dhunë në botë! Le të na ndihmojë Zoti, i cili është paqja jonë, për të kapërcyer mendimin e luftës”.