Zahir Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të OKB-së në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Zahir Tanin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se në këtë takim, i cili u zhvillua në prag të mbledhjes së radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet këtë të premte, Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të OKB-së në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit.
Raporti, sipas Zyrës së Kryeministrit, fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë.
Kryeministri Kurti e falënderoi Tanin për njoftimin rreth raportit dhe ngriti disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale dhe nuk i nënshtrohet presionit dhe frikësimit dhe se kur raste të tilla janë prezentë ato duhet të monitorohen dhe raportohen”, tha Kurti.
Duke vënë në pah stabilitetin institucional në vend dhe faktin se qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë janë të interesuar për punë dhe drejtësi, mirëqenie dhe barazi, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për të dënuar përpjekjet e strukturave kriminale dhe sulmet që u bënë në qendrat e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan më 25 shtator.
Më 15 tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për situatën në Kosovë, seanca e dytë për këtë vit pas asaj të mbajtur me video-lidhje në prill. Këshilli i Sigurimit diskuton çdo gjashtë muaj raportet për situatën në Kosovë.