Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët nuk mund ta tolerojnë, siç tha, terrorin e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet.
Ai në konferencë për media u shpreh se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje, për të cilën sipas tij, është përgjegjëse Prishtina, dhe kjo tha se mund të dëgjohet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se kush është ana destruktive”, deklaroi Rakiq.
“Ne duam vetëm paqe. Nuk i shkon askujt kur flasim për Asociacionin e Komunave Serbe. Kërkojmë vetëm të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë në paqe, të jemi vetvetja në vatrat tona. Tri pika ia thyen shpinën devesë: Shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi për heqjen e targave të Serbisë dhe fakti që Asociacioni nuk është formuar ende. Me ne është edhe Ivan Todosijeviq, i cili u dënua për fjalët e tij. Njësia Speciale e policisë i maltretojnë vëllezërit e motrat tona, janë katër baza të reja. Na e kanë ndaluar vaksinimin, zgjedhjet, referendumin, kanë qëlluar Sreçko Sofronijeviqin, Dragica Gashiqin e kanë të ndaluar të blejë bukë. Kanë ndodhur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, si dhe për të kthyerit se nuk janë të mirëpritur”, përfundoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.