Gjendja e vërshimeve në Kosovë do të vazhdojë të jetë kritike dhe e rrezikshme.
Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi, e cila u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të jenë në gatishmëri në mënyrë që të ketë sa më pak dëme, derisa ka shtuar se nesër situata nga vërshimet pritet të jetë kritike.
“Siç është parashikuar reshjet do të vazhdojnë edhe nesër ku do të ketë herë reshje të borës e herë të shiut. Po ashtu, nesër do të paraqitet edhe një ndërprerje e përkohshme e reshjeve, por përsëri do vazhdojnë në mbrëmje. Ndërkaq, më 10 janar pritet rritja e intensitetit dhe sipas gjitha këtyre parashikimeve dhe gjendjes hidrologjike me gjithë këto përmbysje pritet që kjo situatë të jetë kritike. Duhet të jemi në gjendje gatishmërie sepse nivelet maksimale të lumenjve do të shkojnë edhe më tutje”, ka thënë ajo në Klan Kosova.
Latifi ka thënë se ende konsiderohet që Kosova është në gjendje kritike dhe të rrezikshme nga nivelet e ujërave nëpër lumenj.
Ajo ka shtuar se vërshimet vijnë si rezultat i reshjeve dhe shkrirjes së borës, por që ndikim ka edhe faktori njeri, duke krijuar probleme me ngushtimin e profileve lumore, hedhjen e mbeturinave, si dhe ndërtimi pranë tyre.