Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ka zhvilluar takim me anëtarët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, përcjell KosovaPost.
Ndër të tjera është diskutuar për shërbimet që ofron Ndërmarrja “Prishtina Parking”.
Pas parregullsive në “Prishtina Parking”, Rama paralajmëroi ndryshimin e rregullores aktuale.
“Në takim me Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, temë kryesore e diskutimit ishin shërbimet që ofron Ndërmarrja “Prishtina Parking”, ka thënë ai.
“Jemi vënë në dijeni për parregullsitë që janë evidentuar nga qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë paraqitur ankesa të shumta. Pikërisht për këtë arsye, i ftuam anëtarët e këtij komisioni që të jenë pjesë e grupit punues i cili do të formohet për të plotësuar dhe ndryshuar rregulloren e kësaj Ndërmarrjeje, me qëllim të adresimit të pakënaqësive të shprehura”.
“Ne do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve!”, ka shkruar Rama.
Ndërkaq, Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, ka kërkuar të ndërpritet shqiptimi i dënimeve, vendosja e bllokadave, konfiskimi i veturave nga Prishtina Parking dhe pranimi i pagesës së dënimeve me para në dorë pa u definuar saktë kompetencat e Prishtina Parking.
“Prishtina Parking përfiton para nga këto dënime ndërsa transparenca se ku përfundojnë këto para është zero. Ne kërkuam që të pezullohet zgjerimi i Prishtina Parking deri në përmirësimin e mangësive dhe ndryshimin e rregullores”, tha deputetja.