Rrahman Rama nuk do të jetë më komandant i FSK-së, përcjell KosovaPost.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka bërë të ditur angazhim e ri të ish-komandatit të FSK-së, Rrahman Ramës.
Kurti shkruan se Rrahman Rama do të angazhohet si përfaqësues i Kosovës në RACVIAC.
Postimi i plotë i Kurtit:
Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës.
Komandantit Jashari i dëshiroj punë të mbarë në detyrën e tij të re. Gjenerallejtnant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroj suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues yni në RACVIAC.