Qeveria e Kosovës ka vendosur për lehtësimin e masave në luftimin e koronavirusit.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një konference për media i ka prezantuar masat e reja anti-COVID, ndërsa e ka konsideruar të qetë situatën me koronavirus në vend.
“Me situatën aktuale Kosova, rangohet me numrin më të vogël të vendeve për numrin e të infektuarve, por edhe të vdekjeve. Megjithatë këto masa lehtësuese nuk nënkuptojnë që nuk duhet vazhduar të kemi kujdes edhe më tutje”.
“Lirimi i disa masave nuk nënkupton që ne nuk mund të rikthehemi prap në mbyllje, nëse kemi keqësim të situatës epidemiologjike siç po ndodhë në shumë vende të Evropës dhe të rajonit. Prandaj qytetarë të nderuar, ky lehtësim i vogël i masave duhet të kuptohet si përgjegjësi për t’i zbatuar ato edhe më mirë dhe për t’i dhënë një shtytje funksionimit më të mirë të sektorit të ekonomisë dhe jetës së qytetarëve”.
Tutje Zemaj u ka bërë thirrje subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, që të jenë të kujdesshëm në respektimin e masave.
“Ftoj edhe subjektet politike të cilat tash garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit, që të jenë të kujdesshme dhe të respektojnë masat dhe vendimet në fuqi dhe mos të detyrojmë autoritetet zbatuese të masave, siç janë policia dhe inspektoriatet që të marin vendime për ndëshkime, gjoba dhe dënimet tjera konform vendimeve të legjislacionit në fuqi”.