Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur referendumin e Serbisë, në të cilin qytetarët miratuan amendamentet kushtetuese që synojnë reformën në drejtësi.
Mirëpo, njëkohësisht bënë të ditur qëndrimin e SHBA-ve për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj.
Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter përmes një reagimi në rrjetet sociale, të shpërndarë nga Ambasada e SHBA në Kosovë ka përshëndetur zgjedhjet për ndryshimet kushtetuese në shtetin serb të mbajtur më 16 janar.
Lidhur me referendumin ambasadori amerikan përkujton se “Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve të saj evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, pasi ne besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Thënë kështu, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-ve për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet, me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.
SHBA ka shpresuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bënte këtë.
Ai më tutje e ka përgëzuar “Misionin e OSBE-së në Kosovë për gatishmërinë e saj që edhe njëherë të marrë përsipër detyrën për të ndihmuar serbët që jetojnë në Kosovë për të votuar”.
Shtetet e Bashkuara mezi pret të diskutojë me partnerët e tyre – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë, “se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët, të cilët banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”.
SHBA shpreh keqardhjen se Kosova nuk është anëtare e këtij organi (OSBE) dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Ajo mezi pret ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate.
SHBA-të vazhdojnë të inkurajojmë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja “Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal”.
Të kujtojmë se Kuvendi i Kosovës të shtunën (15 janar) ka miratuar rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.