Kryeministri Kurti është takuar me Selim Selimin nga AAK, ku diskutuan për Vettingun.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kurti pas takimeve me partitë opozitare, tani do të vazhdojë takimet edhe me partitë politike të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Lidhur me procesin e vetingut në drejtësi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, është takuar me z.Selim Selimin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në takimin e përbashkët me Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministren znj.Nita Shala, Kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias.
Me qëllim të përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryeministri dje është takuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqi. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se kontributin e tyre për këtë çështje do të japin në Kuvendin e Kosovës.
Takime të këtilla me qëllim të koordinimit të mëtejmë do të vazhdojnë edhe me partitë politike të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.