Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se bisedimet ishin “shumë shumë të vështira”, ndërsa shprehet i kënaqur me interesimine madh siç tha ai të qeverisë gjermane për dialogun, transmeton Kosova Post.
Vuçiq deklaroi se darka joformale me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka qenë shumë e vështirë. Sipas tij, përfaqësuesit gjermanë kanë insistuar që ajo që është nënshkruar në Bruksel duhet të zbatohet.
Vuçiq tha se me kancelarin gjerman, Olaf Szholz dhe me ministren e Jashtme gjermane, Anela Bearbock diskutuan për çështje të rëndësishme, për perspektivën evropiane, kriza në Ukrainë dhe Kosovën.
‘Ne nuk mund të ndryshojmë qëndrimin e Gjermanisë për asnjë çështje’
Tutje, presidenti i Serbisë, ka thënë është shumë e rëndësishme të bisedohet me Gjermaninë si vendi më i fuqishëm në Evropë, ndërsa ka theksuar se Serbia nuk mund të ndryshojë qëndrimin e Gjermanisë kur është fjala për Kosovën, sikur edhe për shumë çështje të tjera.
Ndërsa sa i përket pozicionit aktual politik të Serbisë, siç raporton Tanjug, Vuçiq ka thënë se situata për Serbinë s’ka qenë kurrë më e vështirë dhe e komplikuar, duke theksuar se deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin për Kosovën e ka vënë Serbinë në situatë tejet të ndërlikuar.
I pyetur nëse mund të zbulojë detaje nga takimi me Kurtin dhe nëse ka pasur ndonjë ndryshim, Vuçiq tha se nuk i pëlqen të flasë për detaje, por se biseda ka qenë “shumë, shumë e vështirë”./Kosova Post/