Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë sot në konventën e kësaj partie, ku u tha se do të ketë përfaqësim 50/50 mes burrave dhe grave.
Musliu përmes një postimi të bërë në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se kjo konventë ka pasur një parullë patetike “50-50”, që për qëllim ka vetëm të tingëllojë bukur.
“Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, tha ajo.
Postimi i plotë i Musliut në Facebook:
Kur në emër të reformës synohet ikja nga identiteti.
Për hir të qindra mesazheve që kam marrë sot nga aktivistet dhe aktivistët e PDK-së dhe interesimit të madh të mediave, për mospraninë time në „Konventën programore të PDK-së“, ndjej obligim personal që ta bëj një sqarim publik.
Mungesa ime sot ka të bëjë me mospajtimin tim me mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin.
Sot pamë një Konventë, pa zëra kritik dhe pa një rezyme të proceseve nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës.
Sot, pamë një konventë me një parullë patetike 50-50, që realisht për qëllim ka vetëm të tingëllojë shumë bukur, por nuk pamë një plan konkret se si do të realizohet ky synim 50-50.