Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), John Kirby ka deklaruar se operacioni për evakuimin e personelit në Ambasadën e Kabulit ka filluar dhe ata do të përgjigjen në kohë për çdo sulm që do të ndërmerrej kundër trupave amerikane në Afganistan, transmeton Kosova Post.
Në konferencën ditore për shtyp Kirby ka vlerësuar operacionin e evakuimit të personelit diplomatik amerikan në Afganistan.
Kirby ka deklaruar se 3 batalione me ushtarë janë nisur tashmë për evakuim personelit të Ambasadës Amerikane në Kablul, ata do të jenë në zonë këtë fundjavë dhe operacioni ka filluar.
Ne i kemi marrë masat e nevojshme të sigurisë në Kabul, ku për operacionin e evakuimit kemi dërguar afërsisht 3.000 ushtarë. Këto trupa kanë të drejtë të mbrohen nga kërcënimet dhe do t’i përgjigjen çdo lloj sulmi, shtoi zëdhënësi.
I pyetur mbi mundësinë e konfrontimit midis ushtarëve amerikanë dhe talibanëve, Kirby bëri këtë vlerësim: “Unë nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por mund të them këtë; ushtarët e dërguar në Afganistan pas 11 Shtatorit bënë atë që ishte e nevojshme, ata parandaluan që Afganistani të ishte një strehë e sigurt për sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe prapësuan seriozisht kapacitetet e grupeve si Al-Kaeda”.
Kirby është shprehur se në procesin 20-vjeçar ShBA ka siguruar të gjithë mbështetjen e nevojshme si për administratën, ashtu edhe për forcat e sigurisë afgane, dhe administrata afgane duhet të tregojë vullnetin e saj për të rezistuar kundër talibanëve. Për momentin prioriteti i ShBA-së është tërheqja e ushtarëve dhe personelit amerikan.
“Në Afganistan kemi një proces negociues politik që vazhdon dhe Talibani duhet të marrë pjesë aktivisht në këtë proces negociatash për të marrë një rezultat politik”,- shtoi zëdhënësi i Pentagonit.
Në prag të fillimit të operacionit të evakuimit Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se numri i punonjësve të misionit diplomatik amerikan në Kabul do të ulet në minimum.
“Departamenti Amerikan i Mbrojtjes do të dërgojë ushtrinë në aeroportin Hamid Karzai për evakuim”,- tha zëdhënësi i Zyrës së Jashtme, Ned Price. Ai shtoi se Ambasada Amerikane nuk do të mbyllet, ajo do të vazhdojë të ofrojë shërbime diplomatike.trt