“Vërshëllimat nuk do të më pëlqenin” pati deklaruar portieri i Italisë, Gigio Donnarumma, që u rikthye të luajë në “San Siro”, këtë herë me fanellën e “të kaltërve”, por për herë të parë pa të kishte gjithë stadiumin kundër.
Tifozët e Milanit nuk kanë ndërmend t’ia falin portierit 22-vjeçar vendimin për t’u larguar me parametra zero e për t’iu bashkuar PSG-së në Francë, ndërsa mbrëmjen e djeshme shfrytëzuan rastin për të nxjerrë në pah mllefin e tyre.
Vërshëllima që nga minuta e parë dhe një pankartë ku shkruanin se “Nuk do të jesh kurrë i mirëpritur”, ishin ato që shoqëruan Donnarummën gjatë 90-minutëshit ndaj Spanjës dhe e shpërqendruan jo pak, sidomos në pjesën e parë.
Për “t’i hedhur benzinë zjarrit”, mendoi edhe ish trajneri i Milanit e Italisë, Fabio Capello, i cili para ndeshjes deklaroi se Donnarumma u soll shumë keq ndaj klubit që e mbështeti që në moshë të re dhe i dha mundësinë të rritet e të bëhet ky që është sot.
Nga ana tjetër, trajneri i Italisë, Roberto Mancini u mundua të shmangë polemikat me tifozët kuqezi, megjithatë deklaroi se do të ishte mirë që për një natë të ishin lënë mënjanë mëritë dhe të mendohej për Italinë.
“Luante Italia dhe nuk ishte një ndeshje klubesh. Mund t’i kishin lënë kontestimet mënjanë dhe t’i ruanin për ndonjë përballje të mundshme Milan-PSG. Më vjen keq, pasi luante Italia, që është e të gjithëve”, u shpreh Mancini.