Debbie Hewitt është nominuar për postin e presidentes së Federatës Angleze të Futbollit, pozitë e cila ka qenë boshe për shtatë muaj pas dorëheqjes së ish-presidentit Greg Clarke, transmeton Kosova Post.
Në deklaratën e bërë nga federata thuhet se komiteti përzgjedhës, i cili përfshin anëtarë të pavarur, unanimisht nominoi biznesmenen Hewitt për postin e presidentes.
Siç njoftohet, nominimi i Hewitt do të miratohet në mbledhjen e këshillit të federatës më 22 korrik dhe ajo do të marrë detyrën në janar 2022.
Hewitt, e cila ka deklaruar se ka pasur pasion futbollin që në moshë të re, është shprehur se mezi pret të marrë detyrën e re.
Debbie Hewitt do të jetë presidentja e parë femër e Federatës Angleze të Futbollit, e cila ka një histori prej 157 vjetësh.
Greg Clarke dha dorëheqjen nga presidenca në nëntor të vitit të kaluar pas komenteve diskriminuese që bëri në një takim online në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.