Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur në takim ministren e Kulturës dhe Sportit të Greqisë, Lina Mendoni, njofton Kosova Post.
Pas takimit në kabinetin e ministrit në Prishtinë, ministri Çeku tha se është hera e parë që një ministër kulture nga Greqia viziton Kosovën zyrtarisht.
Çeku tha se me homologen Mendoni shikuan mundësitë e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve, derisa tha se ka gatishmëri për arritje konkrete për bashkëpunim.
“Një nga pikat për të cilat jemi dakorduar është edhe një vizitë e jona në Athinë për ta konkretizuar bashkëpunimin tonë në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, theksoi Çeku.
Ministrja Lina Mendoni tha se me ministrin Çeku kanë zhvilluar diskutim konstruktiv për tema të artit dhe trashëgimisë kulturore.
Ajo tha se është shumë e lumtur për hapjen e bisedimeve midis Kosovës dhe Greqisë për temat e trashëgimisë kulturore dhe artit.
“Është me rëndësi që me hapa të shpejtë të punojmë drejtë fillimit të bashkëpunimit tonë andaj edhe e kam ftuar ministrin Çeku në Greqi në mënyrë që të krijojmë një plan me hapa konkrete se ku mund të zhvillohet bashkëpunimi”, theksoi Mendoni.
Ministrja greke gjatë qëndrimit të saj dyditor në Kosovë do të vizitojë lokalitete arkeologjike, monumente të trashëgimisë kulturore dhe galeri të artit bashkëkohor./AA