Se Kurrikula e Re e Arsimit Parauniversitar do vërtet intervenime në thelb, kjo është çështje që tashmë e ka kuptuar gati secili mësimdhënës.
Nuk funksionon bre bash qysh po lyp kjo kurrikula, – është vlerësimi më i zakonshëm që mund ta hasësh mes mësimdhënësve.
Pra, loja symbyllurazi, apo hipokrizia, mësimdhënësit kinse po e përfillin e DKA dhe MAShTI kinse po e kontrollon, lë vetëm përshtypje negative në arsim.
Dhe, gjithmonë ka qenë e është thënë se, po nuk qe mirë koka, as bishti nuk është mirë. E, në rastin e Kurrikulës së Re nuk mund të pritet mirë as te koka e as te bishti.
Prandaj në vazhdim, pas katër pikave të prezantuara në shkrimin e fundit, po i sjellim edhe 5 pika të tjera, ku mendojmë se vërtet çalon Kurrikula e Re, e që mendoj se duhet intervenuar urgjentisht për modifikim e përshtatje (nëse nuk bëhet fjalë për eliminim):
1. Nga një ditarë në tre: Tradicionalisht mësimdhënësi ka mbajtur ditar. Zakonshëm edhe një fletore pune, e cila i ka shërbyer si ditar personal pune. E para vazhdon traditën. E dyta u bë zyrtare (tanimë mësimdhënësi e ka obligim ta mbajë një ditar personal, pasi ndryshe e ka të pamundur ta bëjë llogaritje e përqindjeve të një mori notash që vë për secilin nxënës, siç obligon Kurrikula e Re). Kjo qasje e ka bërë pak matematikan secilin mësimdhënës, nxirr përqindje e kalkulo rezultate të VP1 (60%) e VP2 (40%), duke ia marrë kohën e shpjegimit dhe të frymëzim të nxënësve krahas kohës së vlerësimeve të vazhdueshme, thuajse në çdo orë mësimi. Sikur mos të ishte mjaft me kaq, si aneks i Kurrikulës së Re u vu në implementim edhe ditari elektronik (eshkollori), që funksionon jo të në gjitha komunat e Kosovës. Tanimë mësimdhënësit duhet t’i kryejnë tri procedura të njëjta: vlerësimet nga ditari personal t’i nxjerrin në ditarin tradicional, e pastaj nga ai t’i bartin në ditarin elektronik. Këtu ka diçka që nuk shkon; dikush nuk po i beson teknologjisë, dhe kështu mësimdhënësin po e ngarkon të bëjë punë tërësisht teknike dhe aspak siç e përshkruan në esencë pozita e tij.
Kurrikula e Re vërtet se rekomandon digjitalizim të sistemit arsimor, dhe kjo është ndoshta pika më pozitive e saj. Mirëpo, këta tanët seç kanë një raport jobesueshmërie me teknologjinë, prandaj edhe i obligojnë mësimdhënësit të bëjnë njëkohësisht edhe klasikun edhe modernin, për të dalë qesharakë (sigurisht pas disa vitesh).
Nëse Kurrikula e Re rekomandon ditar elektronik, pse mos të mbetet vetëm një i tillë, dhe aty, në po atë platformë të indeksohej edhe ditari personal i mësimdhënësit, dhe kështu të ecej para me hapa të mëdhenj drejt digjitalizimit të sistemit arsimor në vend?! Kështu do të minimizohej keqpërdorimi në notim e në mungesa. Ah, gati harrova se në vendin tonë në shkolla ende nuk kemi ujë e nevojtore funksionale, e unë po kërkoj smart table e smart desk.
2. Vlersimomania dhe padrejtësia: Një vit shkollor mesatarisht ka rreth 185 ditë pune. Tashmë i ndarë në tri periudha, viti shkollor ka ndërruar dinamikën, si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit. Nëse këta të fundit mund t’i përballojnë (sepse gjithmonë është më lehtë të pyesësh sesa të përgjigjesh), janë të parët (nxënësit) që po e pësojnë (dhe do ta pësojnë edhe më shumë në të ardhmen). Ta zëmë se një gjimnazist ka 15 lëndë mësimor. Në anën tjetër, Kurrikula thotë të ketë sa më shumë instrumente vlerësimi. Për shembull, në Gjuhë shqipe nxënësi për VP1 (60%) merr vlerësim në katër instrumente (1. Vlerësim me gojë (20%); 2. Lexim i veprave letrare (20%); 3. Detyra (10%); 4. Ese (10%), dhe për VP2 (40%) merr vlerësim në një instrument (Test). Si përfundim vlerësohet 5 herë në një lëndë. Dhe kjo përsëritet në çdo periudhë, e që bëjnë 15 herë në vit. Nëse kjo ndodh me secilën lëndë, i bie se secili nxënës vlerësohet 225 herë në vit (15×15=225). Apo rreth 40 ditë do të vlerësohet dy herë në ditë. Nëse kemi parasysh se vlerësimi nuk fillon në javën e parë, dhe, eventualisht edhe në të dytën, në secilën periudhë, i bie se në tri periudhat hiqen nga 10 ditë, kështu që presioni për vlerësim te nxënësi vjen duke u shtuar. Pra, ai tanimë, me një “standard” banal në shkollë nuk shkon të mësojë, por të vlerësohet. Dhe kjo i ndodh çdo ditë. Prandaj nuk i shkohet në shkollë. Sepse shkolla po ia rrezikon edhe shëndetin, duke e bërë me stres çdo ditë. Madje-madje, edhe duke ia bërë të padrejtë, për shkak të mënyrës së gabuar të kalkulimit të notave VP1 e VP2. Për shembull, nëse një nxënës merr 1 në VP1 (për shkak se arriti 38 pikë, ndërsa 2 merrej me 40 pikë) dhe 2 në VP2 (i merr me 58 pikë), totali i pikëve i del 96 pikë. Në anën tjetër, shoku i tij i bankës ka marrë të kundërtat, 2 në VP1, me 58 pikë, dhe 1 në VP2, (pra, 0 pikë). Dhe, ironia është se i pari nuk kalon pavarësisht se ka 96 pikë, ndërsa i dyti kalon edhe pse ka arritur vetëm 58 pikë. Ky vlerësim vetëm real nuk është. Dhe kjo sepse nuk i vlerëson pikët e arritura, e që janë shprehje e njohurive të arritura prej nxënësit (dhe që në fakt janë arritja reale).
Sa i takon aspektit të edukimit për neglizhencë te nxënësit, ajo është storie më vete (nxënësi e merr 3 në periudhën e parë, dhe më as që merret me lëndën për dy periudhat e tjera, sepse e ka garantuar notën kaluese për vitin përkatës shkollor).
Me aritmetikën e luajtur këtu Kurrikula e Re ka dëshmuar se çalon edhe në çështjen e vlerësimit, duke qenë e padrejtë pavarësisht se implikon një sërë instrumentesh vlerësimi.
3. Përzgjedhja e teksteve shkollore-literaturës: Liria-fleksibiliteti që ka ofruar Kurrikula e Re në përzgjedhjen e teksteve shkollore në sy të parë lë përshtypje pozitive, mirëpo nëse e shohim më me kujdes, do ta kuptojmë se edhe kjo pikë nuk është pozitive për arsimin. Sepse mundësia për manipulim me tekste shkollore është më e madhe, njësoj sikurse edhe mundësia për kurdisje të shit-blerjes së teksteve të filan shtëpive botuese për akëcilën komunë. Në këtë plan nuk po flasim për përmbajtjen e teksteve, pasi dallimet mes tyre janë tmerrësisht të mëdha. Pra, imagjinojeni nëse në dy komuna mësojnë me tekste nga shtëpi të ndryshme botuese, sepse ashtu janë marrë vesh shtëpitë botuese me DKA-të, drejtorët e shkollave apo mësimdhënësit, dhe njësitë (edhe nëse të njëjta në dukje) shpjegohen krejt ndryshe në përmbajtje, si do të reflektonte kjo në njohuritë e përfituara prej nxënësve dhe në Testin e Maturës!? MAShTI duhet ruajtur autonominë për tekstet shkollore, dhe këtë në asnjë mënyrë nuk duhet t’ua bartë DKA-ve, drejtorive të shkollave a mësimdhënësve. MAShTI duhet t’i përzgjedhë e t’i kontrollojë tekstet shkollore, dhe këtë duhet ta bëjë jo di gjer tani, herë me një sy mbyllur, e herë me të dytë.
4. Për realizimin e 6 Qëllimeve të Kurrikulës rekomandohen sa më shumë aktivitete të udhëhequra prej mësimdhënësit, madje edhe jashtëkurrikulare: Kjo tashmë është vetëm në letra. Hipokrizi e llojit të vetë. Tashmë të rekomandohen sa më shumë aktivitete të udhëhequra prej mësimdhënësit, madje edhe jashtëkurrikulare, është thjesht e pamundur, pasi koha për aktivitete kurrikulare e jashtëkurrikulare është bllokuar nga ngarkimi i mësimdhënësve me punë administrative. Nëse një mësimdhënës do të vlerësojë secilin nxënës 15 herë në vit, dhe në një klasë ka mesatarisht 30 nxënës, i bie se ai do të vlerësojë 450 herë në një klasë brenda një viti shkollor. Nëse e pjesëtojmë me 7 ose 8 nxënës që mesatarisht vlerësohen për një orë mësimi, i bie se mësimdhënësi shpenzon rreth 65 ditë mësimi për vlerësim. Ndërsa dihet se përveç periudhës së parë, asnjë periudhë nuk ka kaq ditë mësimi. Pra, elanin për aktivitete me nxënës, kurrikulare (në shkollë) dhe jashtëkurrikulare (në oborr, qytet, park, teatër etj.) mësimdhënësit ia ka marrë puna teknike-administrative me ditarët dhe me vlerësimomaninë që obligon Kurrikula e Re. Çdo mësimdhënës i përkushtuar më shumë e do mësimdhënien (me plot aktivitete), sesa vlerësimin (që është njëfarë pune teknike). Mos të flasim këtu për plotësimin e dëftesave e dokumentacioneve!
5. Në shkollat e Kosovës nuk ka administratë. Punën e administratës e kryejnë mësimdhënësit. Secili mësimdhënës, e shumë më e papreferuar kujdestar, sot merret shumëfish më shumë me punë administrative sesa me mësimdhënie. Sepse shkollat tona nuk kanë administratë. Nuk po them nuk kanë administratë funksionale, mos më kuptoni jodrejt! Po them troç: nuk kanë fare administratë. Prandaj mësimdhënësi (kujdestari) i shkretë obligohet t’i plotësojë: dëftesat për çdo vit për secilin nxënës, diplomat për vitin e fundit për secilin nxënës, dëftesën e diplomës për secilin nxënës, fletëparaqitjen për test të maturës për secilin nxënës, Librin e Protokollit të Diplomës, Librin e Protokollit të Dëftesës, Librin Amë etj.; etj. Dhe, paramendojeni nëse krejt dëftesën e plotëson mirë, mirëpo në fund e bën një gabim të vogël në datë, mungesa apo notë të sjelljes, duhet përsëritur nga fillimi krejt dokumenti përkatës. More, mësimdhënësi është mësimdhënës, dhe jo plotësues dokumentesh. Ai është për të dhënë mësim, për të qenë frymëzim për nxënësit e vet, që ata ta kenë model për jetën e tyre. Sepse një shoqëri ecën përpara vetëm kur fëmijët i marrin për model jete mësimdhënësit e tyre, dhe jo budallenjtë që bëhen të famshëm për një natë.
Umberto Eco pati thënë se Facebooku u ka dhënë të drejtë fjale edhe budallenjve. Eco vdiq pa u zbuluar TikTok-u. Se aty do ta shihte jo vetëm fjalën e budallenjve, po edhe vetë tharmin e budallallëkut./Shkruan: Besnik Jaha