Përfaqësues nga 42 vende të Mesdheut u mblodhën në Barcelonë sot, ku do të diskutojnë për të nxitur paqen, prosperitetin dhe qëndrueshmërinë në rajon, raporton Kosova Post.
Forumi i gjashtë rajonal i Unionit për Mesdheun kryesohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe ministri i jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi. Pjesë forumit ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.
“Mesdheu është një kufi që ndan dy botë me shumë ndryshime. Por ne jemi angazhuar për ta kapërcyer këtë dhe për ta kthyer Mesdheun në një vend takimi që bashkon botët tona”, tha Borrell në fjalën e tij hyrëse.
Mes konflikteve dhe pabarazisë në rajon, takimi synon të nxisë dialogun që çon në rritjen e integrimit dhe mekanizmave të përbashkët për ndryshim, shkruan AA.
Një numër rekord i ministrave të jashtëm marrin pjesë në takim, sipas Borrell.
“Për momentin, Mesdheu nuk është i qëndrueshëm ekonomikisht apo ekologjikisht. Ka boshllëqe të mëdha që kërkojnë reforma urgjente, integrim, solidaritet dhe më shumë kohezion”, tha ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
Në takim diskutohet për çështje kyçe si përballja me efektet e pandemisë COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, rritja e tregtisë dhe mundësive për të rinjtë, si dhe politikat e emigracionit dhe konfliktet e brendshme.
Një memorandum mirëkuptimi tashmë është nënshkruar midis Unionit për Mesdheun dhe Byrosë Rajonale për Shtetet Arabe të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Marrëveshja trevjeçare synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve mesdhetare dhe arabe në mbështetjen e grave, të rinjve dhe veprimit klimatik.
“Nga mbrojtja e ekosistemeve unike detare në Shqipëri te zgjidhjet inovative për mbetjet plastike në Turqi… ne jemi të përkushtuar të ruajmë trashëgiminë tonë natyrore në Mesdhe”, tha Mirjana Spoljaric Egger e UNDP-së.
“Vendet e Mesdheut ndajnë të gjitha shqetësimet e përbashkëta për efektet e krizës klimatike dhe ndikimin e pandemisë COVID-19 tek më të cenuarit… Ky partneritet i ri midis UNDP-së dhe Unionit për Mesdheun është dëshmi e angazhimit tonë për trajtimin e këtyre sfidave së bashku dhe përpjekjes që së bashku të ndërtojmë më mirë dhe më të gjelbër”, tha Egger.