Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbajtur sot konferencë për media në Prishtinë në kuadër të ditës së fundit të tij në Kosovë.
Sllovaku s’ka pranuar të përgjigjet rreth deklarimeve të kryenegociatorit serb, Petar Petkovic, i cili pas takimit të fundit në Bruksel ku u arrit pajtimi për energjinë, kishte thënë se kreu i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ishte pajtuar që në takimin e radhës të diskutohet për Asociacionin dhe se një gjë të tillë ia kishte kumtuar edhe Miroslav Lajçakut.
Vetë Bislimi e kishte mohuar një gjë të tillë në intervistën e tij në RTV Dukagjini. Emisari sllovak i pyetur nga Express lidhur me këtë çështje s’ka pranuar që të flasë, megjithatë ka konfirmuar se Asociacioni do të jetë temë e bisedës në takimin e radhës Kurti-Vuçiq, takim që synohet të caktohet para pushimeve të verës.
“Definitivisht do të përmendet në takimin e radhës të udhëheqësve, sepse gjithmonë ngrihet si temë nëpër këto takime. Ndoshta po prisni më shumë, por unë s’do të flas”, ka deklaruar Lajçak në një konferencë për media në Prishtinë.