Feja Islame, me mësimet e veta, synon ta edukojë njerëzimin në vazhdimësi, përfshirë meshkuj e femra, të rinj e të vjetër, udhëheqës e popull.
Nëse këto mësime merren me seriozitet dhe praktikohen në jetën e përditshme, nuk ka dyshim se do të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e mirëqenie së njeriut, përkryerjen e virtyteve të tij si dhe i mundësojnë atij të arrijë pozitën e duhur që meriton.
Duke e ditur që Islami u është përkushtuar të gjitha segmenteve në jetën e njeriut, fokus të veçantë u ka kushtuar edhe femrave, me theks të posaçëm karakterit të tyre. Në këtë shkrim, që është pjesa e dytë, do të diskutohen disa çështje lidhur me këtë temë.
Karakteristikat dhe virtytet negative
Sikurse të gjitha qeniet njerëzore, edhe gruaja me natyrshmërinë e saj u nënshtrohet aspekteve negative, ndër të cilat mund të theksojmë:
1. Xhelozia e tepruar:
Me këtë aludojmë ndjenjat e femrës,, të cilat lëvizin në brendësinë e saj, të cilat janë të natyrshme tek ajo dhe shfaqen spontanisht, përmes ndonjë akti që përcakton xhelozinë apo ndonjë fjalë që tregon për të.
Ky fenomen tek femrat paraqitet që në moshën e re kur është vajzë, mu atëherë tek ajo lëvizin ndjenjat e xhelozisë tek vëren se ndonjëra nga moshataret e saj ia kalon për bukurinë, diturinë, pasurinë a moralin e saj, dhe mundohet me tërë forcën që posedon për t’i mposhtur ato përparësi të të tjerave me qëllim që të mos ndihet inferiore.
Ky veprim njëkohësisht mund të jetë edhe i natyrshëm në psikologjinë e njeriut.
Me rritjen dhe zhvillimin e femrës rritet edhe xhelozia e saj, ndërsa mundohet ta posedojë bashkëshortin e saj në tërësi. Kjo specifikë shfaqet më shumë tek gratë,në varësi nga natyra e përbërjes fiziologjike.
Duke qenë se Ligjvënësi e ka lejuar poligaminë për burrin, vërejmë qartë te gruaja se si përkujdeset që burri i saj të mos i dalë nga dora. Edhe kjo një gjë e natyrshme për gruan…
Megjithëkëtë, nga ajo kërkohet që xhelozia të mos kalojë vijat e kuqe e të dëmtohet, e të shfaqen më pastaj dyshime, të cilat do të luajnë me logjikën e saj.
Për xhelozinë e gruas më së miri na flasin edhe shembujt praktikë nga familja profetike. Ajshja-nëna e besimtarëve r.a. thotë: “Për asnjë grua të të Dërguarit a.s. nuk kam xhelozuar sa për Hatixhen, për shkak se i Dërguari a.s. e përmendte shpesh dhe e lavdëronte. Atij i është shpallur nga Allahu që ta përgëzonte atë me një pallat në Xhenet”. (Buhariu/5229)
Ka dhe një thënie tjetër të Ajshes r.a: “Një natë nuk e ndieja afër Pejgamberin a.s. dhe mendova mos do të ketë shkuar te ndonjëra nga gratë e tij, kur e pashë, ai ishte në ruku a sexhde dhe thoshte: “I madhëruar je Ti dhe i Falënderuar je Ti, nuk ka zot tjetër përveç Teje”. Thashë: Të dua më shumë se babën dhe nënën time, vërtet ti je në një çështje-namaz, kurse unë në një tjetër-mendonte rreth tij”. (Nesaiu, 3961)
Po ashtu njihet mirë edhe rasti i njërës nga gratë e Pejgamberit a.s., e cila ishte në shtëpinë e Muhamedit a.s. kur shërbëtori ia solli ushqimin e ajo i ra me dorë pjatës, ushqimi u derdh dhe kështu theu pjatën, e Muhamedi a.s. filloi të mblidhte copëzat e pjatës së thyer së bashku me ushqimin, dhe thoshte: “Xhelozoi nëna juaj”. (Buhariu, 5225)
Këta pak shembuj tregojnë qartazi për xhelozinë e gruas. Nëse ten nënat e besimtarëve kishte xhelozi të këtillë, tek të tjerat mund të jetë më e theksuar.
Po ashtu mënyra e sjelljes së Pejgamberit a.s. në situatën ku qe thyer pjata, duhet t’u shërbejë të gjithë burrave se si duhet të rregullohen krizat familjare në mënyrën më të mirë. S’ka mëdyshje që xhelozia i ka pasojat negative, mirëpo, nëse ajo shfrytëzohet për të mirë si: nxitje adhurimi, kërkimi të dijes, bamirësie etj., kjo xhelozi është e pranueshme.
Prandaj themi se xhelozia i lëviz ndjenjat e femrës në drejtime në ndryshme, sa në të mirë – kur xhelozia është e lavdërueshme dhe ajo e ngre atë tek i fisnikërohet shpirti i saj, e bën të dashur për të tjerët, e vëllazëron, e bën tolerante etj., kështu që ndjenjat e saj janë të lehta e të buta dhe prodhojnë: mirësi, ngrohtësi, dashuri e respekt, dhe sado, në të kundërtën, kur xhelozia lëviz në drejtim jo të mirë, shndërrohet në xhelozi të qortueshme, dhe kështu i helmon ndjenjat e gruas, qëndron në trurin e saj e prodhon: urrejtje e zili, të cilat, kur shpërthejnë në brendësinë e saj, shfaqin simptomat e tyre në sjellje të pamatura e në veprime të shëmtuara dhe fjalë vulgare.
2. Dëshira për të triumfuar:
Me këtë dua të them përkujdesjen e gruas për t’i fituar të drejtat e saj. Kjo, praktikisht, të bëhet pjesë e hakmarrjes nga kushdo qoftë, nëse i bëhet ndonjë e padrejtë apo i shkaktohet ndonjë lëndim në çfarëdo forme etj.. Kjo dukuri është evidente edhe tek meshkujt, mirëpo më e theksuar është tek gratë, me theks të veçantë në çaste hidhërimi pa i shikuar pasojat.
Këtë dukuri e hasim edhe te nënat e besimtarëve në prani të Pejgamberit a.s.. Ka thënë Ajshja r. a.: “Nuk kam parë dikë të përgatisë ushqim më të mirë sesa Sofia! Një ditë ajo i dhuroi Pejgamberit a.s. një pjatë me ushqim dhe nuk munda të përmbaja veten time derisa ia theva pjatën. E pyeta Pejgamberin a.s. për shpagim, e ai më tha: “Sille një enë si ajo dhe një ushqim sikur ai ushqim”. (Nesaiu, 3957)
Nga ky shembull mësojmë se si dëshiron t’i hakmerret femra asaj që konsideron se e ka dëmtuar-në këtë rast për shkak të partneritetit martesor, pa marrë parasysh pozitën e palës tjetër. (Koment imi.)Edhe kjo dukuri ka patjetër ndikime tek femra, sikur janë: shfaqja e frymës së hakmarrjes dhe përkujdesja e saj në mënyrë serioze e të ekuilibruar për ta kthyer të drejtën e saj pa e shtuar ose pa bezdisur tëtjerët.
Nga kjo rezulton se ky virtyt ka ndikim negativ për ndjenjat e femrës, e bën atë të mbjellë urrejtje ndaj asaj që i bën padrejtësi, shmangie nga ajo derisa të mund ta harrojë këtë veprim, si dhe, në anën tjetër, të ndihet mirë dhe e qetë në rast hakmarrjeje.
3. Kontradikta emocionale:
Gjatë studimit të gjendjes faktike emocionale të gruas, psikologë të ndryshëm pohojnë se tek femra mund të ndodhin brenda një intervale të shkurtër kohor ndryshime në emocione dhe ndjenja si: gëzim e pikëllim, dashuri e urrejtje, butësi e ashpërsi etj..
Këto ndryshime të shpejta që ndodhin te gratë, njëkohësisht prodhojnë shpërqendrim të tyre si dhe debalancim të qëndrimeve, prandaj në një kohë gjenden shumë afër bashkëshortit dhe anëtarëve të tjerë familjarë, kurse në një tjetër largohen prej tyre.(1) Kjo që u theksua më lart, natyrisht që ka shkaktarët dhe indikatorët që ndikojnë te gruaja.
Njohës të ndryshëm në fushën e antropologjisë pohojnë se arsyet u kthehen ndryshimeve fiziologjike të gruas gjatë ciklit menstrual, si rezultat i ndryshimeve të brendshme në trupin e gruas, të cilat ndikojnë si në gjak ashtu dhe në trurin e saj, ashtu siç ndikojnë në ekuilibrin emocional tek secila femër, në varësi nga konstitucioni, në shkallë të ndryshme. Një gjendje të tillë të gruas Kurani e përshkruan si vijon: “Të pyesin ty për menstruacionin. Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur..” (El Bekare, 222)
Komentatorët e Kuranit janë në ujdi se gjendja me të cilën përballet femra, përfshin burrin, gruan dhe fëmijën e tyre. Ndërlidhja e burrit në këtë rast nënkupton privimin e tij nga akti seksual gjatë ciklit menstrual, kurse i fëmijës për mungesë të përkujdesjes së duhur ndaj tij.
Ndërsa vetë femra lëndohet në dy kahe; lëndim psikik dhe lëndim fizik/trupor. Në aspektin psikologjik, për shkak të ndryshimeve që shkaktohen në hormonet e trupit, gruaja pëson çrregullime fiziologjike, prandaj kjo gjendje shkakton kundëreagim te femra në emocionet, veprimet dhe ndjenjat e saj. Ashtu siç i shkakton kjo gjendje femrës dhimbje trupore të paparashikuar, gjë që dobëson forcën e saj, po ashtu ul vitalitetin dhe aktivitetin e saj.
(2)Cikli mujor, përveç të tjerash, godet femrën si në forcën, ashtu dhe në trupin e saj, duke iu referuar faktit se Allahu i ka lejuar asaj të mos agjërojë e të mos falet. Kjo tregon se një çështje e tillë e rraskapit dhe e lodh atë, prandaj nuk i lejohet burrit ta mundoj më tepër sesa vetë gjendja e saj.
(3) Nga kjo që u tha më sipër, mundtë përfundojmë se feja Islame e ka nderuar pa masë femrën, përveç të tjerash i kapërkushtuar një ekzaminim shumë specifik gjendjes së saj duke e trajtuar si një qenie njerëzore me preokupime të ndjeshme, prandaj, ashtu siç është liruar nga detyrimet fetare, lirohet edhe nga veprime të tjera familjare e shoqërore. Kështu,mund të themi se kjo gjendje e gruas ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndjenjat e saj, dhe kjo i shkakton asaj ndryshim psikofizik. Edhe pse tërë kyproces i natyrshëm e i përcaktuar nga Ai Që është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, nuk paralajmëron inferioritet të femrës, po sinjalizon për një kujdes që duhet të kenë ndaj dhe prej saj, si bashkëshorti ashtu edhe shoqëria, në këtë fazë, me theks të veçantë për vendimmarrjen.
4. Dobësia në vetëbesim:
Përmes këtij karakteri të femrës aludojmë ndjenjat e saj në çaste kur ajo ndien pamundësinë për të marrë një vendim, për të kryer një obligim, për të marrë përgjegjësi ose për ta ruajtur mbretërinë e saj të kufizuar. Nëse i qasemi studimit në thellësi të këtij fenomeni, vërejmë se gruaja në raste të përmendura ose në një prej tyre, të shumtën heziton që ajo të vendosë për fatin e saj, pavarësisht nëse ka të bëjë me përzgjedhjen e profesionit, të veprimtarisë apo dhe të bashkëshortit të saj.
Ky mosguxim i gruas pa iu referua konsultimit me të tjerë për të vendosur për shumë çështje që kanë të bëjnë me fatin e saj, në mënyrë indirekte që ka të bëjë edhe me fatin e familjes dhe shoqërisë së saj, – pa dyshim që ndikon te femra në aspektin negativ, po nganjëherë edhe në atë pozitiv.
Nga ndikimet negative mund të numërojmë: pyetjet e shumta nga ana e saj, qoftë edhe për gjëra të imëta; shqetësimi dhe ankthi që godasin gruan në pamundësi të administrimit të mbretërisë së vogël të saj-familjes; shtimi i dyshimeve dhe i cytjeve si rezultat i dobësimit të fuqisë dhe energjisë.
Ndërkaq, nga indikacionet pozitive mund të jenë: angazhimi i vazhdueshëm për të arritur një të ardhme më të mirë dhe për t’u rezistuar sfidave dhe mosdorëzimi përballë frustrimeve të mundshme. Dobësia në vetëbesim te gruaja ndikon negativisht edhe në ndjenja të saj, sepse i goditet ato me shqetësime e brengosje. Këto defekte ndikojnë patjetër në jetën e përditshme, si në shijimin e gëzimit ashtu dhe në përballimin e vështirësive.
Përfundim:
Studimi i disa virtyteve të gruas, me të dyja ndikimet dhe pasojat pozitive e negative, nuk synon assesi cenimin ose ofendimin e saj, përkundrazi kristalizon gjendjen faktike të saj, në mënyrë që virtytet pozitive të motivohen e të avancohen, kurse ato negative të përmirësohen e të korrigjohen.
Dr. Sadat Rrustemi
DituriaIslame -282