Pas vatrave të shumta të zjarrit të krijuara në vend, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sfidë vazhdon të jetë mungesa e komunikimit dhe e koordinimit të duhur të institucioneve, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Sveçla ka theksuar se ka vizituar Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (AME), ku edhe është njoftuar për vështirësitë me të cilat po përballen.
“Në rrethana të këtilla, sfidat janë të llojllojshme, por ajo çfarë e vështirëson tutje angazhimin tonë të përbashkët është mungesa e komunikimit dhe koordinimit të duhur të të gjitha hallkave të sistemit si dhe paqartësitë e kompetencave si të nivelit lokal, ashtu edhe atij qendror”, u shpreh ministri.
Ai tha se ka vizituar Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (AME), ku ka takuar drejtorin e saj dhe menaxhmentin, të cilët e kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe angazhimin e tyre konkret.
“Ndër të tjera, u njoftova për vështirësitë, si mungesa e personelit dhe pajisjeve te shërbimi i zjarrfikësve, po ashtu edhe paqartësitë e shumta ligjore në këtë fushë. Nga drejtori dhe menaxhmenti i kësaj Agjencie kam kërkuar marrjen e të gjitha përgjegjësive dhe kompetencave sipas ligjit dhe përmbushjen e detyrave që u takojnë. MPB-ja me agjencitë e saj, në bashkëpunim me pushtetet lokale, FSK-në dhe KFOR-in, do të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës për të garantuar angazhimin maksimal në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në të gjitha lokacionet e kapluara nga zjarret”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai po ashtu ka ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm e të mos ndezin zjarre, pasi, siç thotë ai, përveç ndëshkimeve sipas legjislacionit në fuqi, po rrezikohet edhe jeta dhe prona e banorëve përreth.
Ministri theksoi se përkundër vështirësive evidente, situata mbetet stabile dhe vatrat e zjarrit nën kontroll. /Zëri