Përleshje të forta mes të burgosurve shqiptarë dhe atyre afrikanë ka pasur mbrëmjen e 23 dhjetorit në burgun Don Bosco në Pizë, Itali.
Të arrestuarit në katin e dytë fillimisht protestuan për probleme shëndetësore. Gjatë protestës disa orendi u dogjën dhe për arsye ende të paqarta, protesta më pas u shndërrua në një përleshje mes të burgosurve shqiptarë dhe të burgosurve të Magrebit, raporton Gazeta Shqip.
Nisur nga situata e krijuar, në vendngjarje kanë shkuar përforcime nga Njësia e Policisë së Burgjeve Firence.
Donato Capece, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Pavarur të Policisë thotë se duhen ndërhyrje urgjente dhe strukturore për të rikthyer ligjshmërinë e duhur në qarkun e burgjeve duke ndërhyrë kryesisht në regjimin e paraburgimit të hapur.
Sipas tij mënyra më e qartë dhe më radikale për të eliminuar të gjitha këto shqetësime do të ishte ajo e një rimendimi të përgjithshëm të funksionit të ndëshkimit dhe të rolit të burgut. Ai thotë se dëbimi i të huajve të paraburgosur në Itali, për t’i bërë ata të kryejnë dënimin në burgjet e vendeve të tyre të origjinës, tashmë mund të jetë një zgjidhje.