Përmasat e vërteta të «Epit të Gilgameshit», nuk kanë të bëjnë vetëm me ato dymbëdhjetë pllakat e gurit në të cilat është shkruar ai. Përmasat e «Iliadës», kanë kaluar edhe në mediume të tjera si pikturë e film. Dramat e William Shakespeare-t, po ashtu. Në të vërtetë, në përmasat e këtyre veprave, duhet të nënkuptohen edhe komentet filozofike, interpretimet dhe shpjegimet e mendimtarëve të ndryshëm, njohësve të artit e deri te lexuesit.
Shkruan: Imer Topanica
Çka do të thotë «përmasë», fundja? Sipas shpjegimit të fjalorëve, ajo nënkupton: Shtrirjen e një trupi në gjatësi e në gjerësi ose në lartësi; madhësia e diçkaje, e matur në kufijtë e vet. Është me rëndësi ta mbajmë mend këtë nocion, ndërsa bëjmë përpjekje të reflektojmë mbi poezinë e Shaip Beqirit.
Që në fillim duhet ta pranojmë se është vështirë ta përmbledhësh tërë veprimtarinë e tij, me pak fjalë. Nuk është e lehtë as ta komentosh poezinë e tij, nga droja se mund t’i përsëritësh gjërat, marrë parasysh se sa shumë është shkruar rreth saj.
Vetë arti poetik, është i destinuar për t’u shijuar nëpërmjet aktit të leximit (jo domosdo para një publiku), andaj, në momentin kur atë fillojmë ta komentojmë, veç futemi në kuadër të një diskursi të cilin mund ta quajmë edhe filozofik. Dialogu për letërsinë të shpie drejt një pylli kundërshtish të pafundme konceptuale e botkuptimore. Siç na e kujton Zherard Zhenet, natyra e këtyre debateve është e tillë: kurrë e përfunduar!
Ky ligj, vlen, vetëm për artin e mirëfilltë letrar, e veprat e Beqirit, pa mëdyshje, i takojnë një klase të tillë, e lartë.
Libri i parë i Beqirit ‘Fontana e etjeve’, është botuar në vitin 1976. Pasojnë veprat: Flatrat e gjymta (1983), Eklipsi i gjakut (2000) dhe Muranat e Muzgut (2015). Ai e tërhoqi vëmendjen me përkushtimin e jashtëzakonshëm për ta latuar lëndën gjuhësore poetike, deri në perfeksion. Prandaj kritiku Ibrahim Rugova e klasifikonte kësisoj:
«Shaip Beqiri është njëri nga poetët më të shquar të gjeneratës së re dhe të poezisë së këtushme shqipe në përgjithësi».
Më tutje Rugova shfaqte arsyen e vërtetë të këtij klasifikimi, ndërsa shkruante:
«Beqiri është krijues i përkryer i figurës poetike, ku bota dhe subjekti poetik përthyhet me lëvizje të matura dhe funksionale të një refleksioni mbi kotësinë dhe kalueshmërinë e çdo gjëje të njohur, si trajtë e gjymtimit të forcës dhe të shpirtit njerëzor. Para së gjithash, poezia e tij na flet me një seriozitet klasik mbi çështjet moderne të ekzistencës dhe vazhdimësisë. Vitaliteti i të folurit të tij shquhet për shtresime të thella të gjuhës dhe të figurës poetike, si rrjedhojë e të kuptuarit të tillë të gjuhës, si akt krijues.”
Pastaj, poetja e shquar Natasha Lako, e mahnitur nga përkushtimi i Beqirit për gjuhën, u përgjërohej lexuesve, që ta lexonin poezinë e tij; Johanna Lier vërente (citoj) «një pasuri metaforike, të mbushura madje anë e përtej, poezitë e tij lexohen pikërisht si historiografi lirike me përplot aludime dhe sugjerime», Francesco Micieli identifikonte dramën në vargje ndërsa shkruante:
«Eksplodime të shkurta tekstuale. Këso tekstesh shkruhen vetëm nëse jeta merret me shumë seriozitet dhe nëse vërejtjet dhe pyetjet duhet dhe don t’i thuash me pak fjalë të rëndësishme»; poeti Ali Podrimja, pranonte vulën e tij me mënyrën e veçantë të artikulimit, Adem Gashi ia hetonte «prirjen prej filigranisti», etj.
Po pra, pak a shumë, kështu është lexuar dhe interpretuar poezia e tij. Natyrisht, brezat e sotëm, kanë drejtë ta lexojnë në një tjetër mënyrë. Fundja, siç më duket thotë Ecoja, teksti letrar është një mekanizëm i destinuar për lexim dhe interpretim…
Është ndoshta shumë e rëndësishme të sqaroj pikë-vështrimin tim karshi poezisë së Beqirit. Së pari, unë nuk jam një lexues sistematik e i disiplinuar. Librat me poezi, në të rrallë i lexoj nga fillimi deri në fund. Dhe këtë defekt, nuk kam mundur ta zhbëjë as kur jam veshur me petkun, nëse mund ta cilësoj, të një zyrtari, që e ka për detyrë ta shqyrtojë e interpretojë një tekst, sikundër do ta analizonte e shpjegonte një biolog një insekt. Ky defekt më shtynë t’i pëlqej poezitë, për shkak të një vargu dhe vargjet për shkak të idesë që e transmetojnë, ose figurës me të cilën lidhen.
Ka plot poezi të tilla të Beqirit, të cilave, me siguri, do t’iu kthehem shpeshherë për t’i lexuar. Veç tjerash, ato janë një terren i mirë për vjeljen e fjalëve të rralla. Leksiku i pasur i gjuhës poetike te poezia e Beqirit, është identitet i lëndës. Për këtë janë pajtuar të gjithë. Por përtej fondit të pasur, ajo që të lë përshtypje është aftësia për ta organizuar lëndën poetike në varietete të ndryshme. Hetojmë forma, nënlloje të ndryshme, duke e ruajtur stilin e lartë të rrëfimit poetik. Hetojmë, po ashtu, disa shkallë shkrimi (në kuptimin barthesian), te këto krijime.
U nisa në këtë udhëtim me këngën e me pak magji
Kafkat e fjetura t`i kthej ndër legjenda e rima
Në vargun e fundit të barazohem me ato vetëtima
Që portat e kyçura të shekujve i çelin me poezi
Thonë vargjet e poezisë: DRITË FSHEHTËSIE, me të cilën e hapë librin ‘Fontana e etjeve’. Janë vargje që dëftojnë, ndër të tjera, qëllimin e lartë të poetit dhe misionin e tij të lartë. Harmonia tingullore, rima (ABBA), figuracioni poetik etj, që shfaqet te kjo poezi, paralajmëron për poezi me përmbajtje kaq tërheqëse.
Vargjet e tij, në të shumtën e rasteve, siç edhe e thotë Francesco Micieli, janë “eksplodime të shkurtra dramatike”. Vargu, andaj është i ngjeshur me gjuhë të figurshme, të destinuar për ta bartur barrën e një polisemie.
/Nga gjurmat tona/S’kemi ku të qesim hapin/ – konstaton ai për shembull te poezia: ZJARRI I PAFIKUR, nga përmbledhja «Flatrat e gjymta». Përshkruan me këtë rast krajatat e një shoqërie, ecjen e saj drejt lirisë. Për të pasuar me vargje që e shtojnë dramicitetin e «nxjerrjes së rraqeve», përkatësisht shkuljet e përdhunshme nga trualli. Teksti i shkruar në një kontekst kohorë të brisht politik e social, kur shqiptarët ende trajtoheshin si strukturë e nënrenditur shoqërore, ai nuk është shumë transparent, në kuptimin e bartjes së mesazhit. Gjuha e tekstit, ua mundëson lexuesve ta hetojnë tonin dramatik të vargjeve, pa çka që mund të mos e njohin kontekstin historik në të cilin janë shkruar ato. Si për koincidencë, vargu:
Kujtimin kush do ta bartë
…tingëllon si një pyetje retorike e parakohshme. A s’shquhemi për mungesë të kujtesës kolektive? Gjurmët e së kaluarës, dëshmitë, provat e gjenocidit, kulturocidit, dhunës sistematike të ushtruar ndaj nesh, pak përtej dy dekadave, pothuajse nuk shihen askund. As letërsia e post independencës, nuk i ka shteruar të gjitha temat që mund të nxirren nga ky kontekst i përplasjeve të mëdha dramatike, historike.
Shaip Beqiri, siç e pranon edhe vetë, nuk është prej atyre që hapën një shteg të ri në mënyrën e kultivimit të poezisë, por që është njëri prej bartësve të kësaj fryme, nuk mund ta mohojë as vetë.
Përmasat e poezisë së tij, të shtrira në një kontekst historik gati gjysmë shekullor, shënjojnë, në mos tjetër, një kapitull të historisë së letërsisë… (artikulli nuk është publikuar i plotë).