Në mbledhjen e cila është duke u mbajtur në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, tentativa për ndryshimin e neneve rreth gjykimeve të luftës, ka hasur në vështirësi, shkruan Kosova Post.
Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe anëtarja Blerta Deliu Kodra e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë përplasur me njëri tjetrin, duke thënë se
“Ky ndryshim ka të bëjë me eliminimin e disa pengesave për Prokurorinë Speciale që lidhet me gjykimin ne mungesë për krimet e luftës në Kosovë”, ato janë bërë shkaktare, sipas Rrustemit në hetimin e krimeve të luftës.
Mirëpo kjo ngutje, është cilësuar si e paarsyeshme nga ana e deputetes së opozitës Blerta Deliu:
“U tha që kjo qasje e ndryshimit ad hoc konsideroj që është qasje jo e duhur dhe jo profesionale, aq më pak kur flasim për një çështje të tillë kur kërkon trajtim profesional.”
Besnik Tahiri, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë shkurt dhe qartë që:
“Për këto tema Aleanca është për!”, duke shtuar se as që duhet të mendohet se këtu ka dilema sepse, këto ndryshime nuk kanë të bëjnë me ndonjë agjendë politike.
Pasi e mori fjalën deputetja Deliu tha se, vërejta e saj u keqkuptua:
“I përmenda lëshimet që i keni bërë ju si Lëvizje Vetëvendosje,… e sot ato na kanë sjell në këtë pozicion. Ne jemi të vetëdijshëm për konsensusin tonë shoqëror e politik, për hetimin e krimeve të luftës.”
Deliu shtoi se, nga ngutia, mund të bëhen përsëri lëshime, prandaj çështja nuk duhet të trajtohet me kaq emergjencë.
Kërkesa për këto ndryshime, siç u tha disa herë brenda mbledhjes, ka ardhur si kërkesë nga Ministria e Drejtësisë. Në fund, deputetët janë pajtuar që të fillojnë procedurat për ndryshime. Votimi erdhi pasi deputetë nga pozita dhe opozita diskutuan rreth nevojës dhe mënyrës së ndryshimit të këtyre neneve./KosovaPost/