Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e kritikoi sot ashpër procesin e vettingut, të iniciuar nga Qeveria Kurti, transmeton Kosova Post.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ndërsa i është kundërpërgjigjur, ka thënë ndër të tjera se “është për keqardhje që i njëjti ka qenë Ministër i Drejtësisë”, duke i cilësuar si të pabaza pretendimet e Tahirit.
“Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre. Dhe kjo ka ardhur, pasi mekanizmat ekzistues që përmend Tahiri, kanë dështuar dhe për këtë mbahet përgjegjës edhe Tahiri.”
Tahiri në një reagim të tij gjatë ditës, nuk e ka kursyer as presidenten. Ai ka thenë se :
“Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucional janë të dështuar, për çfarë vettingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit në krye të së cilit, ajo e mbanë pozitën e Presidentes.”
Tahiri mori shkas nga konferenca e Presidentes Vjosa Osmani, e cila ndër të tjera tha se:
“Nuk pajtohem me këtë konstatim. Mungesa e Vettingut do të ishte shqetësim serioz, e jo përmbushja e këtij procesi”.
Në konferencën e djeshme, ajo e hodhi poshtë një pjesë të konstatimit të raportit të Komisionit Evropian.
“Përmes këtyre mekanizmave nuk është arritur as ngritja integritetit. Për këto BE ka kritikuar vet për vite të tëra. Prandaj vetting jo veç që është i rëndësishëm por është i domosdoshëm”.
Përndryshe çështja vettingu, ka qenë njëri prej premtimeve më të lakuara elektorale të partisë në pushtet, bashkë me zotimin e luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit./KosovaPost/