Administrata e Bidenit këtë javë u ofroi përkrahje financiare shkollave që kanë dalë kundër vendimit të guvernatorit Ron DeSantis për ta ndaluar obligueshmërinë e përdorimit të maskave.
Sekretari i Arsimit i Shteteve të Bashkuara, Miguel Cardona, u dërgoi një letër guvernatorit DeSantis dhe komisionerit shtetëror për Arsim, Richard Corcoran, duke i informuar se shkollat që i humbin fondet shtetërore do të kenë qasje në fonde federale.
“Veprimet e fundit të Floridës për t’ua ndaluar vendosjen e strategjive të mbështetura në shkencë sipas vullnetit për parandalimin e përhapjes së Covid-19, që janë në përputhje me udhëzimet nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i vë në rrezik nxënësit dhe stafin”, thuhet në letër.
Sekretari Cardona gjithashtu shkroi se është thellësisht i shqetësuar nga urdhri ekzekutiv i 30 korrikut, i nënshkruar nga guvernatori DeSantis, për ndalimin e obligueshmërisë së përdorimit të maskave, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.Një zëdhënëse e guvernatorit DeSantis e kritikoi administratën e Bidenit, e cila, sipas saj, “po u jep më shumë përkrahje mbikëqyrësve dhe politikanëve të zgjedhur, të cilët nuk besojnë se prindërit kanë të drejtë të zgjedhin se çfarë është më e mira për fëmijët e tyre”, sesa nxënësve të Floridës, për të cilët këto fonde do të duhej të shfrytëzoheshin.”
Ndryshe, Florida ka një prej përhapjeve më të rënda të koronavirusit në vend, kryesisht për shkak të përhapjes së variantit shumë ngjitës, Delta. Pavarësisht kësaj gjendjeje, guvernatori DeSantis ka thënë se prindërit duhet të vendosin nëse fëmijët e tyre do të përdorin maska në shkollë. Ai është anëtar i Partisë Republikane, rivale e Partisë Demokratike të Joe Biden-it.