Kryetari i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur verbalisht në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Derisa Kusari-Lila e ka kritikuar Haradinajn për qëndrimin e tij karshi qeverisë Kurti për procesin e dialogut, Haradinaj ia ka përmendur asaj kalimet në parti të ndryshme në Kosovë.
“Sa i përket partive Mimozë unë të respektojë shumë. Je shumë e shkathtë. Ti ke qenë e zonja dhe në çdo parti ke dal e zonja. E di se i ke kalu nja 5-6 parti. Ne jemi parti e vogël është e vërtet, por aq sa jemi zërin tonë e kemi”, tha Haradinaj.
Ndërsa kjo përplasje erdhi pasi që Kusari-Lila i reagoi Haradinajt, pasi ky i fundit e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po e zhvillon dialogun me Serbinë vetëm në nivelin teknik.
Ajo tha se ka pritur nga Haradinaj një reflektim për shkak të bagazhit të tij politik dhe luftarak e jo shpërfaqje të egos politike.