Ish-deputeti Frashër Krasniqi dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi përsëri janë deklaruar të pafajshëm për sulmin në Kuvend, por kësaj here para një trupi tjetër gjykues.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, katër të akuzuarit po dyshohen nga Prokuroria Speciale si përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Këtë rast fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.