Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paralajmëruar për ditën e sotme, ka dështuar sërish. Arsyeja është e njëjtë, si për ato paraprake: mungesa e kuorumit, transmeton Kosova Post.
Mimoza Kusari – Lila, Kryesuese e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se një përfaqësues i Listës Serbe dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës e Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishin prezent në mbledhje.
“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit prapë nuk ka pasur kuorum, përfaqësuesi i Listës Serbe dhe dy përfaqësues të partive opozitare LDK-së dhe PDK-së nuk ishin aty. Sidoqoftë sot kryetari i Kuvendit, komfor të drejtës së tij sipas Kushtetutës caktoi seancën plenare të radhës të Kuvendit me 25 nëntor [e enjte] duke filluar nga ora 10:00″.
Sipas saj, pika më e rëndësishme e kësaj seance është shqyrtimi i Projektbuxhetit për vitin 2022./KosovaPost/