Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se aeroplani i cili ishte nisur për ti marrë grupin e dytë të besimtarëve për pelegrinazh në Mekë, ka pasur një defekt, prandaj edhe ka vonesë, për çka edhe besimtarët kanë mbetur në pritje në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, transmeton Kosova Post.
BIK-u një gjë të tillë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa kanë kërkuar falje për vonesat e shkaktuara.
“Avioni i paraparë për t’i dërguar sot në orët e para të mëngjesit grupin e dytë të besimtarëve tanë në haxh, megjithëqë ishte nisur me kohë drejt Prishtinës për t’i marrë besimtarët tanë, gjatë fluturimit ka pësuar defekt teknik, gjë që i ka pamundësuar arritjen në Prishtinë dhe si rezultat i këtij defekti besimtarët tanë ende janë në ambientet e aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Së bashku me besimtarët tanë, në aeroport janë edhe përgjegjësit e Haxhit nga Drejtoria e Haxhit, të cilët po e përcjellin situatën”, thuhet në postimin e BIK-ut.
“Drejtoria e Haxhit është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar “Jordan Aviation” që sa më parë të gjejë zgjidhje për nisjen e besimtarëve drejt destinacionit të tyre”, vijon ndër të tjera njoftimi i Bashkësisë Islame.