Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, të cilit i është ankuar për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Petkoviq duke folur për takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut ka theksuar se “edhe kësaj radhe nuk ka pasur takim të drejtpërdrejtë me delegacionin e Kosovës”, i cili sipas tij “sërish ka refuzuar të diskutojë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve”.
“Në këtë mënyrë, Prishtina edhe një herë ka treguar se vazhdon në përpjekjet e saj për të mbyllur derën e dialogut dhe për të shkatërruar çdo mundësi për të diskutuar problemet e akumuluara”, tha ai, njofton zyra e Petkoviqit, transmeton Klankosova.tv .
Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë tha më tej se është e nevojshme që Prishtina të heqë dorë nga siç i quajti “obstruksionet dhe përfundimisht të zbatojë atë që është rënë dakord deri më tani në Bruksel, mbi të gjitha të mundësojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca dhe instrumente thelbësore për mbrojtjen efektive të pozitës së serbëve në Kosovë”.