Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK), dyshohet të ketë qenë arenë e keqpërdorimeve të shumta dhe shkeljeve të rënda ligjore. Një dosje e tërë me dokumente që nga viti 2015-të, e përbërë nga vendime nga më të ndryshmet, disa prej të cilave pa vula e vetëm me nga një nënshkrim, i është dorëzuar regjisorit Sokol Plakolli, shkruan Kosova Sot.
Regjisori Plakolli, sot para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), mbajti një konferencë për media, me ç’rast tregoi se ka marr vendim për ta ndërprerë grevën e filluar para një muaji e tri dite.
Ai tregoi se si pas insistimeve të sforcuara, ka arritur të sigurojë një dosje të tërë me dokumente, shumica prej të cilave janë vendime të Këshillit Drejtues të TKK-së dhe ish Kryetarit të KD të TKK-së, prej vitit 2015-të.
Një ndër aktet më të çuditshme, sipas Plakollit, është ai i nxjerrjes të Teatrit Kombëtar të Kosovës, nga “Konventa Evropiane e Teatrit” në vitin 2015, pa një vendim:
“Teatri Kombëtar i Kosovës, më datë 23 mars 2013-të, është pranuar si anëtar me të drejta të plota në Konventën Ndërkombëtare të Teatrit (ETC). Në fillim të vitit 2015-të, Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i ri në mënyrë tinëzare dhe arbitrare e nxjerrin Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga Konventa Evropiane e Teatrit.”
Në mesin e dokumenteve të siguruara është edhe vendimi në bazë të të cilit i është anuluar edhe shfaqja “Karrigia e Nxehtë”, pas premierës së dhënë në TKK, me arsyetimin se:
“nuk i plotëson kriteret”.
Sipas Plakollit, sigurimi i këtyre dokumenteve, nuk e shënjon fundin e kauzës së tij. Ai konsideron që tash është koha me këtë çështje të merren institucionet relevante, siç është prokuroria. Ai po ashtu mendon se disa prej vendimeve, kanë pasur efekte zinxhirore, përkatësisht dëme kolaterale.
Vetëm vendimi për emërimin e anëtarëve të komisionit për procesin e zgjedhjes së aktorëve për Ansamblin Rezident, përbënë shkak të mjaftueshëm për fillimin e një procesi të hetimeve.
Ai beson se fitorja në këtë betejë ligjore, ka ardhur vetëm falë gatishmërisë dhe angazhimit të vetë Ministrit Hajrullah Çeku, ndaj të cilit është falënderues.
Për më teper, Plakolli është i bindur se seria e grevave të tij për teatrin, të filluara nga viti 2015-të, ndër të tjera, e kanë penguar instalimin e trupës teatrore serbe në TKK./KosovaPost/