Një person u arrestua pak minuta më parë nën drejtimin e armës së një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur se personi i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së djeshme për dhunë në familje dhe pas sjelljes agresive është dërguar për trajtim në QKUK prej ku ka ikur dhe ka sulmuar policët dhe është arrestuar sërish.
“I dyshuari është arrestuar dje nga ana e policisë pas denoncimit për një rast të dhunës në familje. I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe pasi që ka shfaqur sjellje agresive të pakontrolluara me rekomandim të prokurorit të shtetit ai është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
“Përderisa sot policia ka qenë në monitorim të tij në QKUK, i njëjti ka sulmuar policinë duke ju shkaktuar lëndime trupore dhe ka shfrytëzuar momentin për të ikur nga aty. Përkundër rrethanave të krijuara policia është vënë në ndjekje të tij dhe pak më larg vendit të ngjarjes i njëjti është arrestuar nga ana e policisë”, tha Ahmeti.
Ahmeti mes tjerash tha se aktualisht janë duke u trajtuar rrethanat në të cilat është zhvilluar ngjarja me qëllim zbardhjen e plotë të tyre.