Policia e Kosovës, për shkak të reshjeve të borës dhe ngricave në rrugë, ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, përcjell Kosova Post.
Në një postim në Facebook thuhet se kujdesi maksimal në trafik, veçanërisht i drejtuesve të automjeteve, është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet.
“Drejtuesit e automjeteve duhet të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilentë. Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe”, thekson policia.
Policia me njësitet e saj po ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me qëllim të reduktimit të numrit të aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugë, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës kërkon shtim të kujdesit nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica
Prishtinë, më 10 janar 2022
Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent. Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe.
Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanerisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet.
Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndermerr masa ndaj atyrr që bien ndesh me ligjin, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona.