Situata në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbetet e qetë, përkundër reaksioneve që shpërthyen në Beograd, pas vendimit të qeverisë për targat, transmeton Kosova Post.
Forca të shumta policore, janë të përqendruara në këto pika, e përballë tyre, siç shihen edhe në foto, ndodhen qytetarët serbë të pakënaqur me këtë vendim.
Në një deklaratë zyrtare të dhënë nga qeveria e Kosovës, sot ndër të tjera u tha se nuk dihet me siguri nëse këta qytetarë u përkasin grupeve të dyshimta, më saktësisht të të ashtuquajturave “Rojeve të Urës”.
“Nuk është se e dimë saktësisht se kush po proteston para se të arrihet në pikat 1 edhe 31 në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka informata, por të pjesshme. Këto janë çështje të informacionit të brendshëm, edhe teknike dhe logjistike të policisë për të cilat besoj se ministri i brendshëm do të mund t’iu japë përgjigje më të sakta” – tha sot Kryeministri Albin Kurti.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nëpërmjet një komunikate në ditën e djeshme, sqaroi se gjithçka ka shkuar sipas planit dhe se nuk ka pasur incidente.
Situata e ka aktivizuar edhe përfaqësuesin special Miroslav Lajçak, i cili është duke i lutur dy liderët e të dyja vendeve, të ulen e të bisedojnë rreth kësaj çështjeje.
“Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak është kthyer nga Beogradi dhe pas kthimit të gjitha përpjekjet tona kanë për qëllim uljen e tensioneve dhe kthimin në dialog” – citohet një burim diplomatik i Brukselit, për beogradasen Tanjug.
Megjithatë, deri në këto momente, situata mbetet e qetë, përkundër “pluhurit të madh” që u ngrit nga zyrtarët e Beogradit.
Kosova ka vendosur. Reciprociteti fillon me targat./KosovaPost/