Policia e Kosovës gjen dhe sekuestron 4700 Euro të falsifikuara

Policia e Kosovës, konkretisht bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së antidrogës dhe asaj kundër krimeve ekonomike, ka rezultuar me një operacion të suksesshëm ku janë zbuluar dhe sekuestruar një shumë e parave të falsifikuara.

 

Përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës, thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të cilët sot gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave Euro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara.

“Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç`rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej  50 €urove, gjithsejtë katër mijë e shtatëqind (4700) €uro, që dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim se pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi.

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit ju ka lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4700€urove. Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda nga PTH-Prishtinë dhe i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orëve”, thuhet mes tjerash në njoftimin policisë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve dhe kërkon nga qytetarët bashkëpunim të plotë në parandalimin e veprave të tilla.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika